Televizoni publik i Greqisë ka bërë me dije se autoritetet turke kanë kryer një provokim të ri nga ana e tyre, kësaj here ndaj grupit diplomatik të ministrit të Jashtëm Nikos Dhendias që kthehej me avionin qeveritar nga Iraku ku ndodhej për vizitë një ditë më parë.
Sipas informacioneve të para nga ERT , autoritete turke kanë mbajtur në ajër dje në mbrëmje me shumë se 20 minuta avionin qeveritar në të cilin ndodheshin ministri i Jashtëm Nikos Dhendias, zv/ministri për diplomacinë ekonomike Kostas Fragkogianis dhe përfaqësia diplomatike greke.
Siç ndodh në këto raste pilotët e avionit qeveritar grek duhet të marrin lejen e autoriteteve turke që të kalojnë në zonën ajrore të Turqisë për tu kthyer në atdhe. Por në momentin që avioni ndodhej mbi Mosul në kufijtë mes Turqisë dhe Irakut , nuk i është dhënë leja nga autoritet turke.
Për këtë arsye pilotëve u është dashur të kryejnë mbi 20 minuta rreth rrotullime në ajër dhe vetëm atëherë kanë marrë lejen për të hyrë në zonën ajrore të Turqisë duke kaluar fillimisht mbi Dyarbakir.
Avioni i ministrit të Jashtëm Dhendias ka mbërritur ne aeroportin e Elefsines pak pas mesnate dhe siç është bërë e ditur në se do të vazhdonte edhe pak loja e autoriteteve turke do të rrezikoheshin jetët e gjithë diplomatëve, pasi karburanti po mbaronte dhe zona në fjalë në kufijtë mes Turqisë e Irakut ka shumë pak aeroporte që mund të presin avionë civile.
Pritet nga momenti në moment që pala greke të dërgojë note proteste për ngjarjen e mbrëmshme e cila ndodh vetëm disa orë para samitit të lartë të BE , ku pala greke ka paralajmëruar se do të hedhë në tryezë çështjen e provokimeve turke, duke filluar kryesisht me hyrjen e anijes kërkimore Oruc Reis në mëngjesin e së mërkurës në ujërat greke pranë ishullit Kastelorizo .
Top Channel