Presidenti i Kirgizisë, Sooronbai Jeenbekov, ka dhënë dorëheqjen pas protestave masive kundër rezultateve zyrtare të zgjedhjeve parlamentare, që u siguruan fitore partive politike të lidhura me të dhe qeverinë e tij.
Në një deklaratë më 15 tetor, Jeenbekov tha se ai vendosi të japë dorëheqjen sepse, siç tha, paqja dhe uniteti në vend është më i rëndësishëm se çdo post.
Jeenbekov tha se pavarësisht miratimit të tij të vendimit të parlamentit, një ditë më parë, për të zgjedhur, Sadyr Japarov, si kryeministrin e ri të vendit “situata agresive nuk u zhduk dhe thirrjet për dorëheqjen time vazhduan”.
Jeenbekov gjithashtu u bëri thirrje mbështetësve të Japarovit dhe figurave të tjera politike të ndalojnë tubimet e vazhdueshme.
Konfirmimi i Japarovit si kryeministër e shtyu Kirgizinë drejt zgjidhjes së krizës së shkaktuar nga demonstratat mbi rezultatet zyrtare të zgjedhjeve parlamentare të 4 tetorit, shkruan Rel.
Kjo është hera e tretë në 15 vjet që nga protestat rrëzohet një president në ish-republikën sovjetike të Azisë Qendrore.
Top Channel