“Po ju flas si ekspert”, Lleshaj i kthehet Maliqit: Keqardhje që policisë i ka humbur një si ty! Niveli i sigurisë më i mirë në dekada

15/10/2020 10:50

Deputeti Lefter Maliqi ka thirrur sot në interpelancë, në seancë plenare, ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, ku i ka kërkuar të flasë për krimin e organizuar në vend dhe për kanabisin, që sipas tij, janë shkak për shumë vrasje të ndodhura së fundi.

Pas fjalës dhe akuzave të Maliqit, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj nuk i ka kursyer ironitë më deputetin Lefter Maliqi, ku u shpreh  se ndjen keqardhje që policisë i ka humbur një ekspert si ai.

Ai shtoi se niveli i goditjes dhe zbulueshmërisë së ngjarjeve kriminale është rritur në mënyrë të ndjeshme.

Maliqi: Unë sot do të flas më shumë si ekspert i policisë dhe jo si politikan. Iu shpreh ngushëllime atyre që kanë humbur familjarë, për shkak të paaftësisë së policisë në parandalimin e krimit. Cfarë mund të na thoni z. ministër për krimin në Shqipëri? C’mund të na thoni për vrasjen në Malësinë e Madhe për drogë? C’mund të na thoni për drogën në vend? Nesër-pasnesër edhe në tarracat e ministrive mund të gjejmë bimë kanabis.

Lleshaj: Më erdhi mirë që Maliqi u prezantua këtu si ekspert, dhe jo si politikan, dhe shpreh keqardhjen që ky ekspert i ka humbur policisë. Në interpelancë nuk ishin pyetje, por cështje, të cilat më duhen vite për t’i trajtuar. Po e filloj me një fjali të thjeshtë: Shqipëria nuk përjeton sot një situatë të rëndë të krimit, por ka sot situatën më të mirë, pikë! Shqipëria numëron 1.7 vrasje për 100 mijë banorë, ndërkohë që BE në mesataren e tij ka 1.2. Kush ka sy është i ftuar ta shohë, është fakti që të gjithë treguesit negativë të sigurisë në vend janë në rënie të panjohur më parë. Ruajtja e këtyre tendencave është sfida jonë më e madhe. Siguria ka dhe një dimension tjetër, ajo përkufizohet edhe si mungesa e frikës. Qytetarët janë të sigurt kur nuk ndjejnë frikë. 75% e qytetarëve shqiptarë sot mendojnë se jetojnë të sigurt, edhe kur udhëtojnë natën. Është luftuar fort krimi në të gjitha dimensionet e tij, janë shtuar kapacitetet në luftën kundër krimit, njësitë e specializuar, dhe për rrjedhojë kemi arritur në këto rezultate inkurajuese. Operacioni Forca e Ligjit që po punon për të goditur financat e krimit, po punon me intensitet të lartë. Deri më tani mbi 1 mijë pasuri kriminale, janë referuar në SPAK. Në të gjitha këto raste bëhet fjalë për persona të dënuar më parë për vepra kriminale, që kishin kryer dhe dënimin, dhe e konsideronin të mbyllur cështjen me drejtësinë, ndërkohë që kanë hapur llogari të re për pasurinë.”

Top Channel