Organizimet televizive të Trumpit dhe Bidenit do të transmetohen në kohën e njëjtë

15/10/2020 22:31

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe sfiduesi i tij demokrat në zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, pritet të mbajnë takime konkurrente nëpër televizionet kombëtare më 15 tetor, në vend të debatit të dytë presidencial.

Debati i dytë, nga tre sa janë në total, është anuluar pasi Trump ka refuzuar të marrë pjesë në versionin virtual të takimit, pas infektimit të presidentit amerikan me koronavirus.

Si përfundim, kandidatët për president do të paraqiten në rrjete të ndryshme televizive në të njëjtën kohë, duke pranuar pyetje nga votuesit, më pak se tri javë para zgjedhjeve.

Takimi i Trumpit do të transmetohet për 60 minuta në rrjetin NBC nga Majami, Florida, derisa organizimi 90-minutësh i Bidenit do të transmetohet në ABC nga Pensilvania.

Debati final Trump-Biden është planifikuar të mbahet më 22 tetor në Nashvill, Tenesi, para se amerikanët të votojnë më 3 nëntor.

Disa sondazhe tregojnë se Biden udhëheq në nivel kombëtar në krahasim me presidentin aktual, duke përfshirë edhe disa shtete kyçe në procesin zgjedhor.

Sipas Projektit për Zgjedhjet Amerikane në Universitetin e Floridas, gati 15 milionë amerikanë veçse kanë votuar përmes postës, duke shënuar rekord në krahasim me vitin e kaluar.

Votimi me postë është inkurajuar me qëllim të shmangies së radhëve të gjata në Ditën e Zgjedhjeve, për shkak të shqetësimeve për koronavirus.

Trump, i cili është kritikuar ashpër për përgjigjjen e tij ndaj pandemisë, u është kthyer këtë javë aktiviteteve të fushatës, pasi ishte shtrirë paraprakisht në spital, si pasojë e koronavirusit.

Organizimet e takimeve të së enjtes në kohën e njëjtë kanë ngjallur reagime në rrjete sociale.

Shumë përdorues të tyre u kanë bërë thirrje televizioneve që të mos transmetojnë organizimet e takimeve në kohën e njëjtë.

“Transmetimi i takimeve në kohën e njëjtë është gjë e keqe për votuesit, të cilëve duhet t’iu mundësohet t’i shikojnë të dy dhe nuk besoj se shumica do të munden. Kjo gjë do të jetë e mirë për Trumpin sepse njerëzit kanë dëshirë të shikojnë paparashikueshmërinë e tij. Ky është vendim i keq”, ka thënën Katie Couric, gazetare që ka punuar për rrjete të mëdha televizive në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel