Duke filluar nga dita e sotme (datë: 15. 10. 2020), mbajtja e maskave në vendin tonë është e detyrueshme në ambientet e mbyllura dhe të hapura.

Shumë analistë, politikanë dhe mjekë e kanë cilësuar këtë masë si të tepruar, duke shikuar si të nevojshme mbajtjen e saj vetëm në ambiente të mbyllura. I këtij mendimi është dhe deputeti opozitar Lefter Maliqi. Ai u shfaq në një lidhje direkte me studion e emisionit “Top Talk”, pa maskë duke thënë se sipas tij mbajtja e saj me detyrim është bërë për qëllime politike. Ndër të tjera deputeti shtoi se do e pranonte këtë urdhër, nëse shteti vendoste që të subvenciononte qytetarët për çmimet e maskave.

Lefter Maliqi: Unë faktikisht sot kam pasur interpelancë me ministrin e rendit dhe një ndër të tillat ka qenë që po hiqni vëmendjen e policisë së shtetit për kanabizimin e vendit, për kriminalitetin në vend dhe po e përdorni siç e keni përdorur politikisht për të gjobitur njerëzit që nuk vendosin maska. Unë jam ushtarak që 14 vjeç, e zbatoj ligjin që në moshë të vogël, zbatoj çdo akt normative. Sigurisht do ta zbatoj pjesërisht. Do ta zbatoj atje ku ka grumbullime, manifestime, duke ruajtur distancën dhe me radhë. Maskën e kam në dorë, kjo maskë e thjeshtë bën gati 5 qind lekë (të vjetra). Mbështetësit e mi në Berat, një familje mund të ketë 5-6 veta dhe kjo maskë nuk është më shumë se 2-3 orë dhe i bie tre mijë lekë (të vjetra) për çdo familje. Nëse qeveria do të subvenciononte maskat unë do ta respektoja 100%, sepse jam në mbështetje të elektoratit tim. Unë i përgjigjem edhe OBSH-së, e cila thotë se maskat në ambientet e hapura, nuk përbëjnë rrezik për njerëzimin.

Denis Dyrnjaja: Ju pashë në seancë që nuk e kishit maskën sot në Parlament.

Lefter Maliqi: E kisha disa herë, por kur ishte moment i diskutimit e hiqja disa herë dhe prisja me padurim përplasjen dhe interpelancën e drejtpërdrejt për problemet e kriminalitetit, drogës dhe pasigurisë në vend. Mendoj që ky akt normativ është për të nënshtruar qeverinë, ashtu si bëri me daljet e tija kur doli COVIDI, duke vendosur orare për njerëzit, sikur COVID-i vinte me orare të ndryshme. Ky akt normative është qëllimisht politik duke qenë në prag të zgjedhjeve elektorale dhe kjo bëhet thjesht për efekte politike.

Top Channel