Karantinë gjatë natës/ Policia në Francë bastis shtëpitë e ministrave për keqmenaxhim të COVID-19

15/10/2020 19:18
Ministri i shëndetësisë Olivier Veran (majtas) dhe ish-kryeministri Edouard Philippe

Policia në Francë ka bërë sot kontrolle në shtëpitë e ministrit të shëndetësisë Olivier Veran dhe ish-kryeministrit Edouard Philippe, si pjesë e hetimeve mbi menaxhimin e krizës së koronavirusit.

Drejtori i shëndetit publik Jerome Salomon, pararendësi i ministrit Veran, Agnes Buzyn dhe ish-zëdhënësi i qeverisë Sibeth Ndiaye, ishin gjithashtu objekt i operacioneve, raportonin mediat franceze.

Hetimet vijnë në përgjigje të akuzave se ministrat kanë qenë tepër të ngadaltë në veprimin e tyre dhe janë përpjekur të ulin rëndësinë e mbajtjes së maskave gjatë pandemisë.

Operacioni vjen një ditë pasi presidenti Emmanuel Macron njoftoi se Parisi dhe tetë qytete të tjera të mëdha do të vendosen në regjim karantine gjatë natës, prej rritjes së rasteve të infektimit në valën e dytë COVID-19.

Karantina do të jetë në fuqi për një muaj dhe gjatë saj policia do të kryejë kontrolle që do të shoqërohen me gjoba prej $160 për shkelje të rregullave.

Këto janë masat më të ashpra të implementuara në Francë që prej heqjes së izolimit të pandemisë në mesin e majit.

FOTO GALERI
1/3
Hetimet vijnë në përgjigje të akuzave se ministrat kanë qenë tepër të ngadaltë në veprimin e tyre

Top Channel