Itali, 4 vjet burg për punonjësen që hidhte qetësues në kapuçinon e koleges

15/10/2020 18:48

Një grua italiane që hidhte fshehurazi qetësues të fortë në kafen e përditshme të koleges së saj me qëllim ta pushonte nga puna, është burgosur për katër vjet në Itali.

Për gati nëntë muaj 53 vjeçarja Mariangela Cerrato, drogonte fshehurazi viktimën e saj kur dëgjoi se do të bëheshin shkurtime në kompaninë e sigurimeve ku ato të dyja punonin, në qytezën e Bra, në rajonin Piedmont.

Cerrato ofronte të përgatiste kafet e mëngjesit për grupin e punonjësve – ndërsa spërkaste me pluhur benzodiazepine kapuçinon e koleges së saj.

“Kjo drogë sjell lodhje, dhimbje koke, marrje mendsh dhe dhimbje muskulare”, thotë avokati i viktimës Cristiano Burdese, për të përditshmen vendase La Stampa.
Mjekimet e benzodiazepinave, të shitura me emra të ndryshëm si Valium apo Xanax, janë qetësues të fortë psiko-aktivë.

Pas disa muajsh duke vuajtur simptomat, gruaja përplasi makinën e saj me një pemë teksa kthehej nga puna në shtëpi.

Ajo kishte nisur dyshimet edhe pse doktorët nuk mund të gjenin çfarë mangësie fizike kishte, dhe meqënëse vuajtjet i kishin nisur në punë, ajo bëri lidhjen me kapuçinon e saj të përditshme.

Dyshimet e saj u shtuan kur Cerrato e nxiste të merrte kafen në zyrë, duke i thënë: “Hajde tani, do të të sjell një kafe, çfarë dëmi të bën kjo?”
Viktima pranoi kafen nga Cerrato dhe ruajti një mostër prej saj për testime, të cilat zbuluan se kishte një dozë shumë të lartë benzodiazepine.

Gruaja më pas raportoi në polici dhe autorja u kap në kamera duke manipuluar pijen.

Cerrato mohon akuzat dhe avokati i saj thotë se do të apelojë dënimin me katër vjet burg.

Ndërkohë kompania e sigurimeve ku gratë punonin tha se nuk kishte ndërmend të shkurtonte stafin, por të rekrutonte.

Top Channel