Hapen themelet për një shkollë të mesme dhe 9-vjeçare në Njësinë 8, Veliaj: Fryt i bashkëpunimit qeveri-bashki

15/10/2020 13:58

Ndërtimi i një shkolle të re është gjithmonë lajm i mirë. Por, për Njësinë 8 në Tiranë, lajmi më i mirë është se shkolla, përveçse do të funksionojë si gjimnaz dhe 9-vjeçare, ka të integruar edhe një kopësht për banorët në zonën pranë Rr. “5 Maji”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të turit të tij në çdo njësi, inspektoi hapjen e themeleve për dy shkollat e reja, ku do të studiojnë rreth 1400 nxënës.

“Sa herë nisim ndërtimin e një shkolle të re jam plot entuziazëm. Çdo fëmijë që do të shkojë në shkollë do të marrë dije dhe e ka fare pranë shtëpisë së tij. Prandaj na duhet bashkëpunimi qeveri-bashki sepse vetëm me këtë qeveri kemi arritur të bëjmë kaq shumë punë të mira. Shumë prej këtyre shkollave, përfshirë edhe atë tek Instituti Bujqësor, tek “Don Bosko”, tek “Shqiponja”, i kemi bërë 50 me 50; pra një pjesë qeveria, një pjesë bashkia”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku shprehu rëndësinë që kanë vazhdimësia e bashkëpunimit mes qeverisë dhe bashkisë. “Kemi patjetër interes ta vijojmë këtë bashkëpunim edhe në mandatin e tretë të qeverisë, sepse ky bashkëpunim prodhon zgjidhje për njerëzit që kanë nevoja. Kjo këtu do të jetë shkolla më e madhe në Republikë, me 10 mijë metra katrorë, e cila do të ketë hyrje të veçanta për parashkollorët, për 9-vjeçaren dhe për shkollën e mesme. Kjo do të thotë se fëmijët, nga mosha 4 deri në 18 vjeç, nuk kanë asnjë arsye të kërkojnë shkolla të tjera”, u shpreh ai.

Veliaj shtoi se kalimi i Unazës së Katërt në këtë pjesë të qytetit do t’i rrisë edhe më shumë vlerat pronës. Ai theksoi se kjo bashki u ka shërbyer të gjithëve njësoj, edhe në ato zona të cilat dikur njiheshin si bastione të së djathtës. “Në Njësinë 8 vijmë kryelartë për të gjitha shkollat e çerdhet që kemi bërë, ndërhyrjet në rrugë dhe me Pazarin e Ri. Është vetëm çështje kohe sa t’i mbarojmë të gjitha rrugët, por parimi është: ai që bën 9 punë, bën edhe 10; ai që fle gjumë, s’bën dot asnjë punë. Në Njësinë 8, që ka qenë ish-bastion i kundërshtarëve tanë, sot është bastion i yni, sepse diferencën e bën puna”, tha kryebashkiaku.

Një tjetër ndalesë në Njësinë 8 e ishte edhe familja e Adjola Kushovës, përfituese nga programi i kredive të buta të Bashkisë së Tiranës. Veliaj tha se shqiptarët e kanë kuptuar se partia numër një e tyre është familja. “Kam takuar plot të djathtë ose të tjerë, që kanë votuar parti të tjera, të cilët më thonë: Për sa kohë më ke ndihmuar me shtëpi, ke bërë rrugë, çerdhe, kopshte, shkolla, partia numër një është familja, partitë e tjera janë në funksion të familjes”, vijoi ai.

Në turin e takimeve në Njësinë 8, Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim edhe me bizneset e zonës, si dhe me stafin e kësaj njësie administrative, të cilëve u kërkoi mbylljen e dosjeve të tërmetit dhe finalizimin e procesit të dhënies së pagesave.

Top Channel