Mbi 1 milion euro të falsifikuara janë sekuestruar nga Guarda di Finanza në Itali. Operacioni u organizua pas hetimeve të Prokurorisë Publike të Napolit në bashkëpunim me Repartin special të Policisë Monetare e të Policisë ekonomiko-financiare të Napolit.
Sipas mediave italiane në pranga kanë rënë 4 persona, banues në Napoli, nën akuzën e “prodhimit e tregtimit të kartëmonedhave të falsifikuara”.
Ata kishin ngritur një mini-fabrikë parash ku po stampoheshin kartëmonedha të serisë së re “Europa” e sapo hedhur në tregun monetar. Në përfundim të operacionit policia theksoi se familjet e të dyshuarve përfitojnë nga të ardhurat e siguruara në mënyre të jashtëligjshme.
Brenda laboratorit, të vendosur në një apartament në lindje të Napolit, u gjetën mbi 68,000 kartëmonedha të falsifikuara me prerje të ndryshme në një vlerë totale prej mbi 1 milion euro. Përveç kartëmonedhave me vlerë 20, 50, 100 dhe 200, u gjetën gjithashtu edhe kartëmonedha të shumta prej 5 eurosh.
Top Channel