Donald Trump dhe Joe Biden fushatë në shtetet kyçe

15/10/2020 03:30

Kjo është java e parë e kthimit të Presidentit Donald Trump në fushatën zgjedhore që nga diagnostikimi me COVID-19 dhe njoftimi nga mjekët e tij se ai nuk e transmeton më virusin. Kur kanë mbetur tre javë deri në ditën e zgjedhjeve, Donald Trump dhe kandidati demokrat për president, Joe Biden, po vizitojnë shtetet fushëbetejë që t’u japin energji mbështetësve të tyre.

Nga Florida në Ohajo, mbështetësit mblidhen rreth kandidatëve të tyre ndërsa koha e zgjedhjeve po afron. Në shtetin fushëbetejë të Floridas, të pranishmëve iu kontrollua temperatura në tubimin e parë të Presidentit Trump që nga diagnostikimi me COVID19. “Është e mrekullueshme që kthehem në shtëpi, që në Florida i kthehem zyrtarisht fushatës”, tha Presidenti Trump.

Me vepra dhe fjalë, zoti Trump shpjegoi shërimin e tij nga COVID-19. “Tani thonë se jam imun. E ndjej, ndihem i fuqishëm. Dua të eci afër publikut. Dua t’ju puth të gjithëve”,tha ai. Ndërsa për shkencën vazhdon të jetë i paqartë imuniteti ndaj COVID-19, në një tubim tjetër në Ohajo, kandidati demokrat për president Joe Biden kritikoi zotin Trump për qëndrimin që mbajti ndaj sëmundjes së tij. “Sjellje e pamatur dhe e papërgjegjshme që nga diagnostikimi i tij. Sa më gjatë që Donald Trumpi është president, aq më i papërgjegjshëm bëhet”, tha zoti Biden.

Analisti politik Bruce Cain thotë se ndoshta presidenti po mundohet të tregojë forcën në përgjigjen e tij. “Kjo ishte mënyra më e mirë për të paraqitur një realitet tjetër. Të dukej i prekshëm, i dobët dhe i sëmurë do të ishte keq për të”, thotë Profesori i Shkencave Politiken ë Universitetin Stanford, Bruce Cain. Por trajtimi dhe shërimi nga sëmundja e zotit Trump mund të sjellë efekt të kundërt, thotë analisti Cain. “Reagimi i tij ndaj COVID-it dhe disa deklarata të tij lidhur me sëmundjen dhe mungesa e ndjeshmërisë nuk po shihen mirë nga votuesit e moshuar. Florida është shtet me shumë të moshuar, që jo vetëm janë të ndjeshëm ndaj sëmundjes, por edhe mund të vdesin nga COVID”, tha zoti Cain.

Ndërsa zoti Trump fitoi Floridën më 2016, gara këtë herë është e hapur.Sondazhet e fundit e nxjerrin zotin Biden në një epërsi të lehtë ndaj zotit Trump në Florida, shtet ky kritik për të dy kandidatët. “Zoti Trump po mundohet të nxjerrë njerëzit e tij në tubime, t’u japë energji që të votojnë, sepse nëse ai bind në veçanti votuesit e bardhë, mund të kompensojë humbjet midis grave dhe votuesve të moshuar. Ndërsa fushtata e zotit Biden ka për qëllim që të mos përsërisë gabimet e Hillary Clintonit”, thotë analisti Cain.

Latinët, që janë grupi më i madh mes pakicave, janë të rëndësishëm në këto zgjedhje. Sipas sondazheve kombëtare më shumë se gjysma e tyre mbështesin zotin Biden, edhe pse zoti Trump ka përkrahjen e amerikano-kubanezëve, një grup i madh votuesish në Florida. COVID-19 është çështja kryesore për amerikanët të cilët me votën e tyre do të përcaktojnë se kë e duan në krye të vendit për të luftuar sëmundjen./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA