Departamenti i Drejtësisë ngre padi ndaj autores së librit mbi Melania Trump

15/10/2020 04:14

Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti të martën akuza ndaj Stephanie Winston Wolkoff, autore e një libri mbi marrëdhëniet e saj me Zonjën e Parë, Melania Trump, duke e akuzuar zonjën Wolkoff se ka thyer marrëveshjen për të mos nxjerrë hollësi nga periudha si pjesë e stafit të zonjës Trump. Departamenti i Drejtësisë i ka kërkuar gjykatës të mbledhë fitimet nga libri dhe t’i transferojë në një llogari qeveritare.

Në akt-padinë e paraqitur në një gjykatë në Uashington, Departamenti i Drejtësisë argumenton se zonja Wolkoff, e cila ka qenë ndihmëse e zonjës Trump, nuk e paraqiti librin për rishikim nga autoritetet para botimit. Libri “Unë dhe Melania: Ngritja dhe Rënia e Miqësisë sime me Zonjën e Parë,” e portretizon në dritë negative Zonjën e Parë, Melania Trump.

“Shtetet e Bashkuara kërkojnë që zonja Wolkoff të mbahet përgjegjëse për detyrimet e saj në bazë të kontratës, për të garantuar që ajo nuk pasurohet në mënyrë të padrejtë për thyerje të detyrimeve që i pranoi me vullnet të lirë kur mori rolin e këshilltares për zonjën e parë,” thuhet në një kopie të akt-padisë që i kishte rënë në dorë agjencisë së lajmeve Reuters. Libri doli për shitje gjashtë javë më parë.

Akt-padia thotë se zonja Wolkoff dhe zonja Trump në gusht 2017 nënshkruan një marrëveshje lidhur me “informacionin jo-publik, konfidencial, për konsum të kufizuar” lidhur me të dhëna që ajo mund të mësonte gjatë punës për zonjën e parë. “Kjo marrëveshje ishte kontratë me Shtetet e Bashkuara, prandaj Shtetet e Bashkuara kërkojnë respektimin e saj,” tha zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë, Kerri Kupec.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA