Dalin burrat, hyjnë gratë/ Zëvendësohen grevistët në ditën e 18-të grevës

15/10/2020 12:14

20 gra naftëtare janë futur paraditen e së enjtes në grevë urie. Ato do të zëvendësojnë 10 naftëtarët të cilët qëndruan 18 ditë në grevë urie.

Naftëtaret janë vendosur në një prej dhomave të qendrës shëndetësore. Ato thonë se arsyet që i detyruan ato të futen ne grevë urie janë se, kanë fatura te papaguara, nuk i mjaftojnë te ardhurat për ilaçe si dhe nuk mund te përballojnë shkollimin e fëmijëve.

Më herët përfundoi pa sukses edhe takimi i naftëtareve me përfaqësues të firmës e cila ka në administrim Uzinën e përpunimit të thellë të naftës në Ballsh.

Kreu i sindikatës së naftëtarëve Sokol Dautaj, konfirmoi se greva e urisë do të vazhdojë dhe paralel me të edhe protestat përpara uzinës dhe në qytetin e Ballshit.

Sipas naftëtarëve këto takime janë tentativa për të prishur grevën e urisë dhe për të ndaluar protestat e tyre, por pa marrë një zgjidhje konkrete janë të vendosur të vazhdojnë.

Top Channel