Duke nisur nga sot (datë: 15. 10. 2020) mbajtja e maskave është e detyrueshme si në ambientet e mbyllura ashtu dhe në ato të hapura.

Gjatë ditës së sotme u panë shumë qytetar që mbanin veshur maskat mbrojtëse, ndërkohë disa deputetë opozitarë në parlament e injoruan këtë udhëzim dhe për këtë arsye u gjobitën nga policia. Kjo situatë u diskutua në studion e emisionit “Top Talk”, ku një ndër të ftuarit ishte avokati i njohur Adriatik Lapaj.

Gjatë fjalës së tij avokati e gjykoi si anti-kushtetuese vjeljen e gjobave përmes faturës së energjisë elektrike dhe shtoi se në raport me rrogat normale në Shqipëri, gjobat e paracaktuara janë relativisht të larta.

“Në gjykimin tim pa dashur të krijojë debat pa vend, nuk besoj që shoqëria jonë, riskon të cënohet në liritë themelore dhe demokracinë nga vendosja e maskës mbrojtëse. Dihen qëndrimet e mia kryesisht opozitare, por jo për çdo gjë do të themi jo. Nuk duhet ta kthejmë në zakon të themi jo. Kjo është një flamë, një sëmundje që ka rënë. Unë shoh që dita ditës po konstatoj që po ndërrojnë jetë njerëz që i kam njohur, intelektualë, njerëz të zakonshëm të moshave të ndryshme, madje dhe të rinj që unë personalisht i kam njohur, ndjej trishtim dhe nuk është lojë kjo histori. Diskutimi këtu duhet të bëhet në disa pika të tjera, e para është kosto. Në momentin që bëhet e detyrueshme duhet të garantohet mbulimi i shpenzimeve për ato shtresa që nuk e paguajnë dot, që janë familjet në ndihmë ekonomike, pensionistët, jetimët janë kategori që janë të mbrojtura nga ligji dhe për gjëra të tjera. Momenti i dytë i rëndësishëm është propocionaliteti. Unë pash vlerat e gjobave dhe vlerat në gjykimin tim për ekonominë dhe të ardhurat e një familje mesatare në Shqipëri janë relativisht të larta, mendoj që me propocionalitetin mund të qe luajtur me gjoba më të vogla. Ideja është të sensibilizojmë njerëzit dhe jo t’i dhunojmë përmes gjobës, gjoba duhet të ishte një ndëshkim dytësor. Mund të ishte vendosur gjoba 5 mijë lekëshe, 10 mijë leshke të vjetra flas gjithmonë. Momenti i tretë që unë e konsideroj të rëndësishëm është mënyra e vjeljes së këtyre gjobave, që parashikohet të vendosen në faturat e energjisë elektrike, unë e shoh me problem ligjore këtë. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vjeljen e gjobave të makinave nga njësitë vendore dhe mos dhënia e certifikatave dhe u vendos që ishte anti-kushtetuese. Në këtë pikë unë mendoj që vjelja e këtyre gjobave, përmes një kontrate, siç është ajo e furnizimit të energjisë elektrike, që nuk ka lidhje me këtë gjë. Në gjykimin tim është në shkelje të parimeve tona kushtetuese dhe ligjore”, u shpreh Lapaj.

 

Top Channel