Presidenti i Serbië, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi dhe Prishtina do të diskutojnë për një zgjidhje kompromisi për Kosovën, por shtoi se pala kosovare “duhet të zbatojë atë që ka nënshkruar në Bruksel”.
“Do të presim, do të tregojmë durim, për të parë se kur do t’i përmbushë detyrimet e saj me marrëveshjen e vitit 2013”, tha Vuçiq për Radio-Televizionin e Serbisë.
I pyetur nëse formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një vijë e kuqe për Beogradin, Vuçiq tha se “nuk reagon më ndaj tregimeve nga Prishtina për njohjen reciproke”.
Me marrëveshjen e vitit 2013, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është paraparë formimi i Asociacionit të komumave me shumicë serbe në Kosovë.
Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Prishtina tani thotë se nuk dëshiron ta hapë më këtë çështje, ndërsa Beogradi insiston në të kundërtën.
Asociacioni, shkas për presion ndaj Kosovës
Në një raportim para Kuvendit të Kosovës këtë javë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka përsëritur se tema e Asociacionit “nuk hapet më”.
Hoti po ashtu ka thënë se me Serbinë nuk do të ketë pajtim për asgjë, derisa nuk ka pajtim për njohje reciproke.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi të mërkurën që në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të vihet në tryezë mundësia e njohjes reciproke.
Top Channel