Trump i rikthehet fushatës/ Presidenti vijon takimet në Florida. Mijëra njerëz në tubim pa maska

14/10/2020 00:47

Presidenti amerikan Donald Trump i është rikthyer fushatës së martës, kur nuk kanë kaluar ende dy javë pasi rezultoi pozitiv për koronavirus. Ai i tha mijëra mbështetësve të tij, pjesa më e madhe e të cilëve pa maska, se do të kishte dashur ti jepte një puthje të madhe në tubimin e zhvilluar në shtetin ku beteja është e ashpër, Florida.

Rivali i tij, Joe Biden, nga Ohajo ndërkohë, e akuzoi presidentin për sjellje të papërgjegjshme që nga diagnostikimi i tij me koronavirus. Dy kandidatët presidencialë po përpiqen të sigurojnë sa më shumë vota me vetëm tre javë që kanë mbetur nga zgjedhjet.

Sondazhet e opinionit publik sugjerojnë se Biden ka një avantazh prej 10 pikësh ndaj Trump, në shkallë kombëtare. Sidoqoftë, kryesimi i tij në disa shtete kyçe është më i ngushtë, sië është rasti i Floridës, ku demokrati është 3,7 për qind pikë përpara. Fushëbeteja si Florida dhe Ohajo janë thelbësore për marrjen e 270 votave të kolegjeve elektorale që nevojiten për të fituar Shtëpinë e Bardhë që nuk përcaktohet nga thjeshtë numërimi i votave të amerikanëve.

Trump, rezultoi pozitiv 12 ditë më parë dhe u shtrua në spital një ditë më pas. Por të dielën, mjeku i tij tha se ai nuk përbënte më rrezik për transmetimin e covidit tek të tjerët dhe tha të hënën se testi më i fundit kishte rezultuar negativ për disa ditë radhazi, edhe pse nuk dha asnjë datë. Eksperti i lartë i qeverisë amerikane, Anthony Fauci, tha ndërkohë se mbajtja e tubimeve të mëdha ishte si të kërkoje telashe në një kohë kur në shumë shtete amerikane po rriten rastet e koronavirusit.

Top Channel