Riinfektimi me Covid/ Sars Cov 2, imunitet të përkohshëm

14/10/2020 21:48

Pak ditë më parë, shkencëtarët prezantuan rastin e një personi në nevada, i cili brenda disa javësh u prek dy herë nga koronavirusi.

Rasti, ka ngritur pikëpyetje serioze për kohëzgjatjen e imunitetit pas infektimit por edhe ka hedhur dyshim nëse vaksina mund të garantojë mbrojtje të përhershme. Ai i të riut nga nevada, që herën e dytë kur u prek nga virusi dëshmoi simptoma më të rënda, është rasti i katërt i botuar në revistat shkencore.

Disa viruse shkaktojnë imunitet të përhershëm pas një infeksioni, por të tjerë jo. Virusi që shkakton COVID-19 është pjesë e një familjeje të madhe të koronaviruseve, përfshirë disa që shkaktojnë ftohjen e zakonshme. Imuniteti ndaj këtyre viruseve zbehet pas një ose dy vitesh.

Ekspertët thonë se provat në rritje rreth infektimit për herë të dytë sugjerojnë se imuniteti ndaj virusit mund të jetë i përkohshëm. Ndaj, edhe strategjia e njohur si Imuniteti i Turmës, sipas së cilës sugjerohet që virusi të prekë popullatën në mënyrë të pakontrolluar që të krijojë imunitet të shpejtë, rrëzohet.

Edhe nëse popullata do të zhvillojë imunitet natyror, miliona vdekje do të ishin rezultat i kësaj strategjie dhe imuniteti do të zbehej me kalimin e kohës, duke bërë të mundur që virusi të rikthehet. E në kushte të tilla, ekspertët mendojnë se edhe një vaksinë efektive ndaj koronavirusit do të duhej të bëhej cdo vit.

Top Channel