Ekskluzive! Aida Hajnaj flet për herë të parë pas testimit të kandidatëve: Në dhjetor përfundojmë me testet. BKH, gati në janar!

14/10/2020 19:50

Besnikëri, integritet, trimëri! Kjo është kryefjala në logon e BKH e publikuar për herë të parë sot para kandidatëve që u testuan në Pallatin e Kongreseve.

Drejtoresha e BKH, Aida Hajnaj tregoi për Top Channel se çfarë ndodh pas këtij momenti.

“U përzgjodhën rreth 400 kandidatë që kalojnë në fazën tjetër dhe rreth 23 kandidatë nuk kanë kaluar në fazën tjetër”, tha ajo.

Por kur do jetë gati BKH?

“Janë disa faza që duhet të kalojnë deri sa të arrijmë në fazën që të marrim 60 hetuesit, dhe mendojmë se deri nga fundi i dhjetorit duhet të jenë të përfunduara të gjithë fazat që duhet të kalojnë. Me parashikime, ne mendojmë dhe duam që në janar të fillojë puna e BKH”, u shpreh Hajnaj. 

Kandidatët dhe aplikantët i pret një garë akoma më e rëndësishme siç është testi fizik, që pritet të mbahet në javën në vazhdim.

“Përqindja më e madhe e kandidatëve janë nga jeta civile ku ka dhe juristë dhe ekonomistë dhe informaticienë sepse të tilla karaktere kërkonte vetë ligji për të qenë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pjesa e punonjësve të policisë është shumë e ulët në krahasim me pjesën civile.

Tre elementet që duhet të përfaqësojnë hetuesit e BKH janë: trimëri, integritet dhe besnikëri”, tha për Top Channel, Hajnaj.

Anila Hoxha

Top Channel