Apple sjell iPhone 12/ Telefoni i ri me Teknologjinë 5G

14/10/2020 01:53

Kompania Apple ka konfirmuar se telefonat e saj të ri iPhone 12 do të punojnë me rrjetin 5G. Kompania ka zgjeruar po ashtu edhe gamën e modeleve të prezantuara duke përfshirë edhe një mini model që ka një ekran më të vogël 5.4 inch.

Kompania amerikane në fakt ka mundur t’ia hedhë paq krizës së shkaktuar nga koronavirusi në industri duke rritur shitjet e aparateve të shitura prej saj gjatë vitit të shkuar. Por disa ekspertë thonë se aparatet e reja i japin Apple mundësinë më të mirë për rritje që nga 2014, kur edhe prezantoi iPhone6.

“5G do të sjellë një nivel të ri të performancës për shkarkime dhe ngarkime, transmetim video me cilësi më të lartë, ndërveprim në kohë reale dhe shumë më tepër”, tha shefi ekzekutiv, Tim Cook. “Sot është fillimi i një epoke të re për iPhone”, shtoi ai. Apple tha se iPhone 12 ka të njëjtën ekran me madhësi 15.5 cm, si paraardhësi i tij iPhone 11, por vetë pajisja është 11% më e hollë, 16% më e lehtë dhe ka korniza më të vogla.

Kompania ka ardhur edhe me një rifreskim kozmetik këtë radhë, me anët e aparateve që bëhen më të mprehta dhe cepa më të sheshtë. Modelet iPhone 12 pro ndërkohë sjellin ekrane akoma më të mëdhenj se më parë. Prezantimi i produkteve të reja nga kompania Apple bëhet zakonisht në muajin shtator, por këtë vit u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit. iPhone 12 do të dalë në shitje me një çmim prej 1 mijë dollarësh ndërsa iPhone 12 mini do të kushtojë 900 dollarë.

Top Channel