“Singapor Airlines” kthen airbus-ët në ‘restorante’

13/10/2020 20:05

Banorët e Singaporit kanë përqafuar mundësinë që të hanë drekë në një airbus A380, të parkuar, në aeroportin më të madh të qytetit.

Pavarësisht një çmimi fillestar prej rreth 496 dollarësh, për dy datat e para të nismës, biletat janë shitur brenda një gjysmë ore. Kompania ajrore ka shtuar edhe dy data të tjera me njerëzit që shkruajnë emrat në një listë pritjeje për një drekë apo darkë.

Singapore Airlines është një nga shumë kompani që kërkojnë modele të reja biznesi për të rritur të ardhurat, që janë goditur rëndë nga koronavirusi. Ajo planifikon të përdorë dy avionë airbus A380 për secilin sesion tre orësh.

Secili prej tyre do të jetë i mbushur përgjysmë, në mënyrë që të respektohen rregullat e distancimit social. Klientët do të lejohen të zgjedhin një vend në klasin ekonomik, me një çmim që fillon prej 39 dollarësh dhe të shohin një film ndërsa darkojnë. por, avionët nuk do të ngrihen nga pista.

Kompania po ashtu ofron edhe shërbimin e dërgimit në shtëpi të ushqimeve, që përfshin edhe tavolinën portative të saj dhe aksesorët e tjerë të nevojshëm. më herët, kompania kishte marrë në konsideratë idenë e fluturimeve drejt askundit, por më vonë hoqi dorë prej saj.

Të tjera kompani, përfshirë Eva në Tajvan dhe Qantas në Australi, kanë bërë përpara me fluturime që niseshin dhe uleshin në të njëjtin aeroport nga ku ishin nisur.

Top Channel