Riinfektohet me covid/ Simptoma më të rënda herën e dytë

13/10/2020 20:47

Një i ri në SHBA është prekur nga covidi dy herë, me infektimin e dytë më të rrezikshëm se i pari.

25 vjeçari ka patur nevojë për trajtim në spital, pasi mushkëritë e tij nuk mund të furnizonin me oksigjen të mjaftueshëm trupin.

Riinfektimet, mbeten të rralla dhe tani ai është shëruar. Por, studimi i botuar në Lancet Infectious Diseases, ngre pikëpyetje për imunitetin që mund të ndërtohet ndaj virusit. Burri nga Nevada nuk kishte probleme të njohura shëndetësore më parë ose defekte imunitare që do ta bënin atë vecanërisht vulnerabël ndaj kovidit.

Shkencëtarët thonë se pacienti e mori koronavirusin dy herë dhe nuk flitet për infeksionin e parë që ka qenë në gjendje të fjetur dhe është rikthyer përsëri. Një krahasim i kodeve gjenetike të virusit, të marrë gjatë secilit rast, tregoi se ato ishin shumë të ndryshme që të shkaktoheshin nga i njëjti infektim.

Kjo, sipas mjekëve tregon se një infektim i mëparshëm nuk mbron domosdoshmërisht ndaj një infeksioni të ardhshëm. Edhe njerëz që janë shëruar duhet të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet e distancimit social, të mbajnë maska dhe të lajnë duart. Shkencëtarët ende vazhdojnë të përpiqen të kuptojnë më shumë për koronavirusin dhe imunitetin.

A bëhet ndokush imun? Po personat me simptoma të lehta? Sa zgjat imuniteti? Të gjitha këto janë pyetje të rëndësishme për të kuptuar se si virusi do të na prekë ne në terma afatgjata, por që nuk kanë ende një përgjigje…Deri më tani, riinfektimet kanë qenë të rralla me vetëm pak shembuj nga më shumë se 37 milionë rastet e konfirmuara. Raporte nga Hong Kongu, Belgjika dhe Holanda, thonë se riinfektimet nuk janë më të rënda se infektimi i parë. Vetëm një rast tjetër në Ekuador, ishte si ai në SHBA.

Top Channel