Një sasi e dyshuar si tritol është gjetur poshtë një makine të parkuar pranë Pallatit të Kulturës “Labëria” në Vlorë mbrëmjen e sotme.
Sipas korrespodentit të Top Channel, sasia e dyshuar si tritol është fshehur në një telefon celular. Policia ka rrethuar vendin dhe ka mbajtur perimetrin e rrezikut të një shpërthimi të mundshëm.
Priten forcat xheniere për të bërë të mundur çmontimin e telefonit para një shpërthimi të mundshëm që mund të ndodhë. Përmes pamjeve të ardhura në redaksi, zona ku dyshohet të jetë vendosur tritoli është e rrethuar me makina të parkuara, e qetë dhe me pak kalimtarë në rrugë.
Nuk dihet ende se në pronësinë e kujt është makina, ndërsa priten detaje të reja në orët në vazhdim. Sipas policisë, grupi hetimor me ekspertët përkatës po kryejnë veprimet e mëtejshme për zbulimin dhe përcaktimin e përbërjes së saj.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak.Më datë 13.10.2020, rreth orës 18:42, në lagjen Pavarsia, Vlorë, në brendësi të një lulishteje është konstatuar një pako e dyshimtë. Grupi hetimor me ekspertët përkatës po kryejnë veprimet e mëtejshme për zbulimin dhe përcaktimin e përbërjes së saj. Shërbimet e policisë kanë marrë masa duke vendosur perimetrin e sigurisë.
Top Channel