Masat për përballimin e situatës, Manastirliu: Dyfishim ekipeve mjekësore të urgjencës për trajtimin në banesë

13/10/2020 15:21

“Dyfishojmë ekipet e terrenit të urgjencës kombëtare, për t’u përballuar edhe me një sfidë tjetër, që është sfida e trajtimit në banesë sipas protokolleve të reja që po miraton Komiteti Teknik i Ekspertëve për trajtimin në shtëpi të rasteve ambulatore”.

Deklarata u bë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë takimit me ekipet e reja të urgjencës, në Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Duke u shprehur se Urgjenca Kombëtare ka përballuar një fluks të konsiderueshëm, Manastirliu siguroi mbështetjen për ekipet e urgjencës mjekësore.

“Padyshim vjeshtë-dimri nuk do të jetë i lehtë por jemi përgatitur brenda mundësive tona, jo vetëm me kapacitetet që disponojmë por edhe me stafin e shtuar, ku edhe gjatë periudhës së epidemisë janë 45 personel që i janë bashkuar ekipit të Urgjencës Kombëtare, si edhe mbështetja logjistike nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë. Edhe 36 autoambulanca të reja do t’i shtohen Urgjencës Kombëtare brenda vitit për të garantuar një shërbim më të mirë, më të shpejtë për qytetarët, sidomos në situatën e epidemisë”, tha Manastirliu.

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, dr. Skënder Brataj deklaroi se po vijojnë trajnimet për ekipet mjekësore në të gjitha nivelet, për t’ju përgjigjur situatës.

“Po vijojmë me trajnimet jo vetëm të ekipeve të reja por të të gjithë stafit mjekësor, duke filluar nga mjekët e familjes. Ndërkohë, në bashkëpunim me mjekun e familjes dhe linjës 08004040 që bën lidhjen e menjëhershme me mjekun e familjes, do të integrojmë shërbimin në banesë. Në momentin që pacienti përkeqësohet ose në momentin që pacienti ka marrë një kurim të përcaktuar nga specialisti mund të bëhen trajtime në banesë. Prej 3 vitesh ne kemi setin e plotë të urgjencës dhe i kemi të gjitha pajisjet. Kemi porositur të gjitha medikamentet që kemi porositur në bazë të protokollit përsa i përket trajtimit dhe të formës së mesme nga ekipet tona”, tha dr. Skënder Brataj.

Duke kërkuar bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve në betejën me COVID19, Ministrja e shëndetësisë tha:

“Është në dorën tonë. Nëse duam ta ulim përhapjen e infeksionit, duhet të zbatojmë rregullat. Mbajtja e maskës është tashmë një detyrim për çdo qytetar”, tha Manastirliu.

Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka pritu 571.990 thirrje dhe ka kryer mbi 103.117 mijë misione gjatë muajve të epidemisë. Janë 5.693 qytetarë të prekur nga virusi SARS COV2 që kanë marrë trajtim nga Urgjenca Kombëtare nga të cilat 2.895 në banesë dhe 2.798 janë transferuar në spital. Gjatë ditëve të fundit po vihet re një rritje e lehtë e numrit të thirrjeve në numrin unik të urgjencës kombëtare 127. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 1700 thirrje dhe janë kryer 45 misione në banesë, nga të cilët 22 janë dërguar në spital dhe 23 janë trajtuar në banesë.

Top Channel