Kim takim me kryetaren e KPA-së/ Shtylla: Mbështetja e ndërkombëtarëve e domosdoshme për Vettingun

13/10/2020 19:13
Yuri Kim, Albana Shtylla dhe Michelle Lakomy

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka takuar ditën e sotme kryetaren e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Albana Shtyllën priti sot në ambientet e Kolegjit bashkë me këshilltaren Ligjore Rezidente të OPDAT në Shqipëri Michelle Lakomy.

Në takim u diskutuan sfidat e procesit të rivlerësimit, nevoja dhe mundësia për përshpejtimin e tij për kryerjen me përgjegjësi dhe profesionalizëm të funksionit të tyre kushtetues.

Po ashtu, Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit informoi Kimin edhe në lidhje me përgatitjet e Kolegjit për shqyrtimin e çështjeve të juridiksionit disiplinor për sistemin e drejtësisë, që kjo gjykatë pritet të ketë me fillimin e funksionimit të plotë të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe mbi vendimmarrjet përkatëse të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Fokus i veçantë gjatë takimit, iu dha edhe kërkesave dhe shqetësimeve të gjyqtarëve, sa i përket funksionalitetit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe vijueshmërisë normale të procesit të rivlerësimit, duke garantuar pavarësinë në vendimmarrjen e Kolegjit.

Shtylla konsideroi të domosdoshme për ecurinë e procesit të Vetting-ut, vazhdimin e mbështetjes të partnerëve ndërkombëtarë, si dhe vëmendjen e posaçme të tyre për suksesin e procesit të rivlerësimit.

Top Channel