Administratorja e Inceneratorit të Tiranës, Ariola Kodra, iu është përgjigjur akuzave të ngritura për impiantin e përpunimit të mbetjeve të Sharrës.

Teksa i ka cilësuar ato shpifje dhe të pabaza, Kodra ka sqaruar se inceneratori i Tiranës ku po vijon puna për ndërtimin e tij nuk është një investim shtetëror, por një projekt i cili po realizohet nga koncesionari me kostot e veta dhe jo nga buxheti i shtetit.

Ariola Kodra, Administratore e Inceneratorit të Tiranës: “Inceneratori i Tiranës kohët e fundit është kthyer në një epiqendër të sulmeve mediatiek por edhe politike, sulme që i shohim si akuza të pabaza ndaj shoqërisë tonë”.

Akuzoheni se do të merrni 400 mln euro? Si e komentoni?

“Nuk ekziston një vlerë e tillë . Shoqëria jonë nuk ka marrë dhe nuk do të marrë një vlerë e të tillë. Nuk është e vërtetë që po marrim para nga buxheti i shtetit për këtë investim, pasi koncesionari i kryen të gjitha investimet me buxhetin e tij dhe e vetmja tarifë që merr është nga Bashkia Tiranë, tarifa e depozitimit të mbetjeve urbane të qytetit. Kështu që në asnjë moment nuk ka marrë dhe nuk do të marrë shoqëria para nga buxheti i shtetit.”

Kodra po ashtu ka hedhur poshtë edhe akuzat se biznesi po paguan tarifa të rritura abuzivisht për për pastrimin, e artikuluar së fundmi edhe nga ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku.

Ariola Kodra:“Jo, nuk është e vërtete që biznesi po paguan dy herë. Nuk duhet të ngatërrojmë faktin e tarifës së depozitimit të mbetjeve urbane dhe tarifën e depozitimit për mbetjet industriale. këto janë akuza të pavërteta. Megjithatë, nuk jam këtu për deklarata personale pasi unë jam përfaqësuese e një shoqërie që punon dhe tregon seriozitetin e saj në punë.”

Inceneratori i Tiranës, një nga tre projektet e kësaj natyre për përpunimin e mbetjeve pas atij në Fier dhe Elbasan ka një kapacitet që shkon deri në 1400 ton mbetje në ditë, ndërsa aktualisht Bashkia e Tiranës prodhon deri në 700 ton mbetje në ditë.

Top Channel