Pavarësisht se në takimin e Bratislavës dy ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Greqisë, Cavusoglu dhe Dhendias ranë dakord që ditët në vijim të jepet data e fillimit të bisedimeve mes dy vendeve për zgjidhjen e konfliktit në Egje dhe Mesdhe në lidhje me ZEE dhe kufijtë detare, tensioni ka vazhduar edhe orët e fundit.

Në fillim Ankaraja ka lëshuar një Naftex të re duke bllokuar prej datës 22 tetor  zonën detare pranë ishullit grek Kastelorizo, vetëm 6,5 milje detare larg tij, duke dërguar atje përsëri anijen Oruc Reis e cila do të kryeje kërkimeve për hidrokarbure.

Menjëherë është përgjigjur Ministria e Jashtme greke e cila thekson në deklaratën e saj se ky veprim është një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë.

“Greqia nuk shantazhohet ndaj ftojmë Turqinë të tërheqë këtë vendim pasi në këtë mënyrë shmang në mënyrë sistematike  të Drejtën Ndërkombëtare  dhe parimet e fqinjësisë duke minuar çdo përpjekje dialogu” –përfundon deklarata.

Madje Greqia është kundërpërgjigjur me një Naftex nga ana e saj duke theksuar se naftex-i turk i përket zonës detare që është nën sovranitetin e Greqisë ndaj dhe është i paligjshëm.

Zhvillimi i fundit vjen në një moment kur Ankaraja ka dërguar edhe anijen tjetër kërkimore Barabaros në jug të Qipros, ndërsa ne Qipron veriore, shtet që  njihet vetëm nga Turqia zhvillohen zgjedhjet për qeverinë e re.

Tensionet greko-turke dhe dërgimi i anijeve kërkimore Barbaros dhe Oruc Reis ne ujerat e Qipros dhe te Greqisë do të jenë orët e ardhshme pjese e diskutimeve te samitit te ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian , katër ditë para samitit të lartë te BE.

Aleksandër Marku

Top Channel