Një ditë pasi Pheniani organizoi një manifestim për 75 vjetorin e partisë në pushtet e për të treguar një armë të re të rëndësishme, Seuli i kujton Koresë e Veriut marrëveshjet në fuqi për të parandaluar luftimet.
Zyra presidenciale e Koresë së Jugut tha të dielën se marrëveshjet ndërkoreane për të parandaluar përplasjet e armatosura me Korenë e Veriut duhet të respektohen.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un mbajti një fjalim të shtunën në 75 vjetorin e themelimit të Partisë së Punëtorëve në pushtet, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të madh midis dy vendeve, sapo të mbarojë pandemia e koronavirusit.
Por ai gjithashtu shfrytëzoi rastin për të zbuluar një armë të re masive strategjike, që vëzhguesit besojnë se është një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM).
Analistët konkluduan se ishte raketa më e madhe lëvizëse rrugore në botë, me karburant të lëngshëm. Ka shumë të ngjarë të jetë projektuar për të mbajtur koka me mbushje bërthamore në automjete të pavarura.
Jeffrey Lewis i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare të Middlebury tha se “qëllimi ishte i qartë, për të mbingarkuar sistemin e mbrojtjes raketore të SHBA-së në Alaskë”.
“Jam mjaft i sigurt që Koreja e Veriut mund të shtojë koka bërthamore më shpejt sesa mund të shtojmë ne përgjues,” shkroi ai në Twitter.
Analiza e Koresë së Jugut për armët e ardhshme
Shtëpia blu presidenciale e Koresë së Jugut tha se mbajti një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të diskutuar për armët dhe për përmbajtjen e fjalimit.
“Ne kujtuam marrëveshje të ndryshme të bëra midis Jugut dhe Veriut për të parandaluar konfliktet e armatosura dhe luftën,” u bë e ditur në një deklaratë.
Koreja e Jugut shprehu më tej shqetësim për armët dhe tha se do të kryente analiza së bashku me Shtetet e Bashkuara.
Në një deklaratë të veçantë, Ministria e Bashkimit e Seulit, e cila trajton çështjet ndërkufitare, tha se fjalimi i Kimit do të çonte në paqe dhe lidhje më të mira dhe shprehu shpresat për një rifillim të dialogut për çështje të tilla si reagimi ndaj virusit dhe ndihmat humanitare./DW/
Top Channel