Rama i uron ditëlindjen aktorit të Portokallisë: Spikati për sozinë time në shfaqjen me rekorde të frikshme audience

12/10/2020 10:40

Kryeministri Edi Rama me anë të një statusi të gjatë në rrjetet sociale i ka uruar ditëlindjen aktorit të Portokallis, Florjan Binaj.

Kryeministri Rama në urimin e tij për aktorin shkruan se është një djalë i talentuar dhe ka spikatur me sozinë e tij në shfaqjen më popullore e më kreative televizive, Portokallia e rekordeve të frikshme të audiencës televizive.

Më tej Rama shton se nuk i kupton politikanët që mërziten kur i imitojnë në mënyrë gazmore, pasi sipas tij është thjeshtë art.

Postimi i Ramës:

#EDHE100

FLORJAN BINAJ është një djalë king, me botë të bukur, i talentuar dhe i edukuar, që mes plot talenteve të ekranit të vogël ka spikatur me sozinë time në shfaqjen më popullore e më kreative televizive sipas meje, Portokallia e rekordeve të frikshme të audiencës televizive!

Nuk i kam kuptuar kurrë politikanët e udhëheqësit kur mërziten, e nganjëherë tërbohen nga vënia e tyre në lojë prej komedianëve e karikaturistëve, të cilët kur janë të zotë si Flori e si djemtë e vajzat e Portokallisë, si Sajmiri i Fiksit e i Stopit apo babai i të gjithë brezit të tyre, Agron Llakaj ose Bujar Kapexhiu i vizatimeve satirike, janë një lezet i madh për jetën publike dhe një burim energjish pozitive për konsumatorët e artit të tyre. Arti i tyre ka pasur e ka një fuqi të butë emancipuese e lehtësuese tek ata që i ndjekin dhe Flori është mes atyre që e meritojnë t’u heqësh kapelen, për faktin domethënës se nuk bie në vulgaritetet tipike çedukative të disave brenda atij lloji.

Duke i uruar sozisë time gazmore ditëlindjen dhe shëndetin, forcën krijuese e çdo mirësi e mbarësi për veten e për të dashurit e vet, uroj njëkohësisht që energjitë pozitive të Florit e të kolegëve të tij të talentuar të çdo ekrani, ta ushqejnë sa më mirë publikun në këtë kohë posaçërisht sfiduese për të gjithë.

#TëRRALLË

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA