Ekskluzive/ “Atentati” dhe “komploti” ndaj Bashës/ Prokuroria pushon çështjen penale ndaj një maqedonasi dhe 2 kosovarëve

11/10/2020 19:32

Një maqedonas dhe 2 kosovarë u hetuan për një kohë të gjatë si të dyshuar se po përgatisnin komplot dhe atentat ndaj kryetarit të opozitës Lulzim Basha, por pas tre viteve vëzhgim dhe veprimesh të tjera hetimore ata rezultuan të pa implikuar ndaj dhe çështja u pushua.

Të dyshuarit që kaluan në filtrat e Interpolit, Antiterrorit, dhe ish-Krimeve të Rënda janë Afrim Morina , një ish-polic në Gostivar dhe që përshkruhet si një person që është i gatshëm të bëjë gjithçka për para, Arben Ymeri i njohur me nofkën “Japan” praktikant radikal i fesë, ish-luftëtar në Siri dhe Alfred Gurguroviç, një i dyshuar i përfshirë në atentatin ndaj Alfred Mustakës ngjarje e ndodhur në 2010 në Durrës.

Hetimi nisi me kërkesë të Antiterrorit në prill 2017, pas një interviste të presidentit Bujar Nishani për “Ora News” i cili tha se ka shumë aktorë që duan destabilitetin. Fakti i sigurisë së liderit të opozitës shtoi aso kohe Nishani do të konsiderohet me seriozitet nga agjensitë ligjzbatuese në vend.

Është vërejtur thuhet në dosjen që Top Channel e ka siguruar ekskluzivisht se pas kësaj deklarate në daljet publike të demokratit kishte shtim të forcave të sigurisë. Në kuadër të kësaj situate theksohet më tej shërbimet inteligjente dërgojnë informacion për personat e dyshimte.

Afrim Morina përshkruhet në këtë informacion, ka dijeni për një atentat të mundshëm ndaj kryetarit të opozitës me qëllim destabilizimin e vendit . Prokuroria thotë se mes shumë veprimeve u kqyr sistemi Tims nga ku rezultoi se Morina, Ymeri dhe Gurgurovçi kishin hyrë në Shqipëri përpara datës për të cilën zhvillohen hetimet, njëri në vitin 2014 , i dyti në vitin 2016 dhe i treti në 2010.

Janë administruar përgjimet e telekomunikacioneve theksohet më tej sikurse edhe përgjigjet nga Interpoli. Në fund të 2019 nga kqyrjet e telefonit të Arben Ymerit i pyetur për shkaqet e udhëtimit drejt Shqipërisë i zbulohen 29 numra telefoni. Në 2019 ai ka komunikuar me një numër telefoni në Monako, dhe me numra të tjerë të familjes që tregojnë se ai ishte i interesuar për të udhëtuar në Angli. Gjatë këtij viti ai vjen në Shqipëri dhe konkretisht në Durrës dhe përmes Viber komunikon në serbisht e anglisht për të garantuar largimin drejt Britanisë së Madhe.

Nga kqyrjet evidentohen edhe përgjime të tjera në Gmail dhe Facebook nga të cilat prokuroria thotë se nuk siguroi të dhëna konkrete.

Ky shtetas diskuton për probleme personale përmend akuza në dosjen që Top Channel disponon . Nuk janë gjetur lidhje të këtyre personave me të tjerë që të krijojnë bindjen për kryerjen e veprave të dyshuara dhe nuk janë konstatuar veprime që të vënë në rrezik jetën e kryetarit të opozitës.

Ky vendim i pushimit të hetimeve sipas burimeve të Top Channel ju njoftua në mes të javës edhe Antiterrorit, ndërkohë që gjykata do të vendosë vulën nëse duhet apo jo të pushohet hetimi!

Anila Hoxha

Top Channel