Atentat ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, plagoset bashkë me babanë, shpëton bashkëshortja

11/10/2020 12:59
Pamje nga vendi i atentatit

Shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe ka mbetur i plagosur bashkë me babanë e tij nga një atentat me armë zjarri në lagjen “Dobraç” të Shkodrës.

37-vjeçari ra pre e atentatit ndërsa po udhëtonte në rrugën Shkodër – Koplik, në vendin e quajtur “5 heronjtë” bashkë me bashkëshorten e babanë e tij me makinën e policisë bashkiake.

Shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe Mentor Hasanaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa babai i tij Xhelal Hasanaj ndodhet në gjendje të rëndë. Kurse bashkëshortja e tij fatmirësisht ka shpëtuar pa asnjë dëmtim. Të dy janë dërguar me urgjencë në spitalin Rajonal të Shkodrës ku edhe po marrin kujdesin e duhur.

Pas ngjarjes janë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori. Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër.

Nuk dihet akoma arsyeja se përse ai ka rënë pre e atentatit mesditën e sotme, ndërsa priten të mësohen detaje të reja.

Shkodër/Informacion Paraprak

Më datë 11.10.2020, rreth orës 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, një person i paidentifikuar që qarkullonte me motomjet, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të Policisë bashkiake Malësia e Madhe ku udhëtonin shtetasit M. H. 37 vjeç, V. H. 28 vjeçe dhe Xh. H. 70 vjeç, banues në Malësinë e Madhe.

Si pasojë janë plagosur shtetasit M. H, me detyrë Shefi i Policisë bashkiake në Malësinë e Madhe dhe Xh. H., i ati i tij, të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë me të marrë njoftim kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori.

Në ndihmë të Policisë Vendore kanë shkuar edhe forcat e FNSH Shkodër ku vijon kontrolli masiv i territorit për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën intensive për grumbullimin dhe fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

FOTO GALERI
5/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA