“Pasagjeri i këndshëm VIP i trenit të vjetër të opozitës”/ Rama përball Bashën me fakte: Investimet në bujqësi e blegtori, rritje 165%

10/10/2020 09:03
Edi Rama dhe Lulzim Basha

Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar deklaratat e djeshme të kryedemokratit Lulzim Basha të bëra nga Lushnja për gjendjen e fermerëve dhe bujqësisë në vend duke publikuar një video me shifrat e investimeve nga viti 2012-2013 e në vijim.

Ditën e djeshme, kryedemokrati u premtoi lushnjarëve se me ardhjen në pushtet do të vendosë 100 mln euro subvencione në vit për fermerët ndërkohë 50 mln euro në vit për infrastrukturën e zhvillimit rural.

Por kryeministri Rama përmes një postimi në Facebook ka publikuar disa shifra që sipas tij janë investuar në këto dy sektorë. Ai thotë se në vitin 2012 masat direkte të financimit për bujqësinë arrinin në 5.5 mln euro ndërsa në vitin 2020 buxheti arrin në 9.1 mln euro. Rama e cilëson Bashën ‘pasagjerin e këndshëm VIP të trenit të vjetër të opozitës’.

Postimi i plotë:

Mirëmëngjes dhe me pasagjerin e këndshëm VIP të trenit të vjetër të opozitës, si edhe pasqyrën e vetëm disa fakteve mes të djeshmes e të sotmes në Shqipërinë bujqësore, ju uroj një shikim e fundjavë të këndshme.

Kryeministri ka nxjerrë videon sipas të cilës kompleksi i tregtimit të kafshëve ku përfshihet dhe një thertore ku dje ishte lideri i opozitës ka marrë financim 296 mijë euro nga Agjencia e Zhvillimit rural dhe bujqësor.

Ai thotë se në vitin 2012 masat direkte të financimit për bujqësinë arrinin në 5.5 mln euro ndërsa në vitin 2020 buxheti arrin në 9.1 mln euro. Rritja ishte 165 %.

Ndërsa, në vitet 2008-2012 investimet në pika grumbullimi ishin zero, ndërsa nga viti 2013-2020 janë 123 përfitues me një shumë prej 20.8 mln euro. Për thertoret financimi nga vitit 2013 sipas kryeministrit është 10 mln euro. Për thertoret në zonën e Fierit, 4 përfitues në shumën 2.2 mln euro.

Raporti i Komisionit Europian thotë se implementimi i programit IPARD në Shqipëri pati një fillim të mirë të të gjithë kontratave të nënshkruara, ashtu si dhe vlerave respektive të kontraktuara. Autoritetet kombëtare mobilizuan burime për të shmangur tërheqjen e fondeve nga programi IPARD 2 në fund të 2019.

Top Channel