Lulishtari vullnetar/ I riu lulëzon hapësirat e përbashkëta në Sarandë

10/10/2020 12:41

Iliadi është në të 20-at dhe banon në një nga zonat e populluara rishtas në Sarandë.

Ai punon si lulishtar në bashkinë e qytetit dhe gjatë kohës së lirë vullnetarisht është duke transformuar hapësirën publike mes pallateve që ishte e degraduar nga betonizimi ndër vite.

“Me mundësitë e mia i kam mirëmbajtur me spërkatje, me krasitje, me vaditje tre muajt e beharit. Vaditja është pak e vështirë për të thënë të vërtetën sepse duhet një linjë që të vaditen sepse unë e mbart ujin. Unë mundohem për më të mirën, për lagjen, për gjitonin që të shohin diçka të mirë. Sa më shumë të jem mundësi aq më shumë dua të bëj.”
Tërësisht me shpenzimet e tij Iliadi është duke mbjellë pemë e shkurre, lule dhe bimë dekorative por njëkohësisht po ndryshon edhe qëndrimin e banorëve ndaj mjedisit publik. Bashkia e qytetit pas gjelbërimit e pajisi hapësirën me stola.
“Në orën katër të mëngjesit të shohësh një djalë të ri të zbresë shkallët për të shkuar në punë ndërsa bashkëmoshatarët e tij kthehen nga jeta e natës. Është një njeri i veçantë që shqetësohet për lagjen dhe komunitetin. Me kënaqësi shoh se të gjitha ato pemë që janë këtu limoni, fikusi, agavia, kumbulla banorët e të dy pallateve i kanë zbritur poshtë dhe ja kanë dhënë Iliadit ti mbjellë e për të krijuar këtë mjedis rreth pallatit.”

Saranda e betonizuar masivisht gjatë tri dekadave të fundit ka vetëm 0,5 m katrorë sipërfaqe të gjelbër për frymë ose rreth 20 herë më pak se standardi i pranuar. Gati 200 m katrorë gjelbërim që vetëm Iliadi i ka shtuar qytetit krijuan disa miniparqe ku banorët kalojnë pasditet.

Top Channel