Korçë/ U kapën duke transportuar 78 emigrantë të paligjshëm, arrestohen 4 persona

10/10/2020 11:56

Goditet një tjetër rast i aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalimin e paligjshëm të kufijve kundrejt shpërblimit.

U kapën duke transportuar 78 emigrantë të paligjshëm dhe u arrestuan në flagrancë nga policia 4 shtetas.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Komisariatin e Policisë Korçë, Forcat Speciale “Shqiponja” dhe Sektorin e Policisë Rrugore, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Rr, 27 vjeç; E. Rr., 23 vjeç, (vëllezër), banues në fshatin Stranik, Librazhd; R. B., 30 vjeç dhe U. B., 29 vjeç, banues në Librazhd.

Shtetasit e mësipërm, janë kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Leminot, Maliq, konkretisht shtetasi A. Rr duke drejtuar mjetin tip kamion, në rimorikon e të cilit u konstatuan 78 emigrantë të paligjshëm, si edhe shtetasi E. Rr., duke drejtuar mjetin tip “Ford” me pasagjerë dy shtetasit e tjerë R. B., dhe U. B., të cilët nga hetimet e kryera rezulton se kryenin kontrollin e rrugës dhe janë bashkëpunëtorë të dyshuar të 27-vjeçarit, në këtë aktivitet të kundërligjshëm.

Emigrantëve të paligjshëm, këta shtetas kundrejt fitimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

Top Channel