“Lufta” në krye të shtetit/ Presidenti dhe Kryeministri shkëmbejnë akuza

09/10/2020 15:21

Marrëdhënia mes Edi Ramës dhe Ilir Metës prej kohës kur të dy ishin në të njëjtën parti ka qenë dashuri dhe urrejtje, por me zgjedhjet elektorale në prag përplasja e fortë mes Kryeministrit dhe Presidentit ka kaluar në një nivel të ri të paprecedentë, me akuza te ndërsjellta për lidhje me botën e krimit.

Me një mesazh drejtuar socialistëve pak orë para mbledhjes së Asamblesë, Ilir Meta bëri përgjegjës Edi Ramën për zëvendësimin e intelektualëve me kriminelët.

“Ky njeri i papërgjegjshëm, përjashtoi nga kjo parti profesorët dhe intelektualët më të spikatur të vendit, për t’i zëvendësuar ata me trafikantë dhe kriminelë, të cilët ju skuqin sot nga turpi”.

Basti publik i Ilir Metës përfshiu postin e tij si President nëse Edi Rama nuk fakton sot para socialistëve lidhjet e kreut te shtetit me boten e krimit.

“Ky njeri pa Atdhe, pa nder, pa vlera më akuzon sot se kam takuar skutave subjekte të OFL-së. I kërkoj publikisht të bëjë publik emrin, skutën dhe orën kur e kam takuar këtë personazh të botës së krimit dhe unë do të jap menjëherë dorëheqjen”.

Kryeministri nuk vonoi të reagojë për shpërthimet e Presidentit.

“Ilir çfarë borxhi të ka Shqipëria që të bëri Kryeministër, Kryeparlamentar, President dhe duhet të durojë shkallimet e tua të përditshme, që sëkëlldisin jo veç të gjallët po edhe të rënët për liri të këtij vendi, të cilëve u je qepur me dekoratat e me fjalimet e tua qesharake!”.

Afati i vënë nga Presidentit për të treguar lidhjet e pretenduara të tij me krimin është Asambleja e Partisë Socialiste në të kundërt Ilir Meta “kërcënon” Edi Ramën se nuk do i ndahet deri sa ta përzërë nga partia. Krahas luftës në rrjetet sociale ai i kërkoi dhe një përballje televizive.

Top Channel