Kombëtarja shqiptare udhëtoi mëngjesin e kësaj të premteje drejt Kazakistanit për të zhvilluar ndeshjen e radhës së Ligës së Kombeve ditën e diel në 11 tetor.
Skuadra e Edy Rejas ditën e enjte ka zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore në Durrës dhe nuk ka pësuar më ndryshime në radhët e saj teksa konfirmohen mungesat e Strakoshës, Mersinajt dhe Uzunit.
Përpara nisjes për në Kazakistan, futbollistët dhe stafi teknik i skuadrës iu nënshtruan testeve për Covid 19 sipas protokollit të parashikuar nga UEFA dhe të gjithë rezultuan negativë. Kombëtarja shqiptare do të luajë në orën 15:00 të së dielës ndaj Kazakistanit më pas do të udhëtojë drejt Lituanisë për ndeshjen e 14 tetorit, sfida këto që do të transmetohen në platformën Digitalb.
Kombëtarja Shqiptare është në Grupin 4 të Ligës C të Nations League me Kazakistanin, Lituaninë e Bjellorusinë dhe pas 2 ndeshjeve të para ekziston një ekuilibër i plotë teksa të gjitha ekipet janë në kuotën e 3 pikëve me nga 1 fitore e 1 humbje secila.
Top Channel