Gjenden dy kushërinjtë e vrarë/ Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj ishin qëlluar me armë, policia gjeti edhe parcela hashashi

09/10/2020 00:25

Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj dy nga tre të zhdukurit në Malësinë e Madhe, janë gjetur të pajetë pas 5 ditëve kërkime të policisë së Shkodrës. Trupat u gjetën rreth orës 15 të së enjtes, të fshehur në një zonë të thyer e të vështirë, rreth 1 orë e gjysëm larg qendrës së fshatit dhe pak metër larg disa parcelave me kanabis.

Që prej orëve të para të mëngjesit drejtuesit e policisë së Shkodrës dhe familjare, negociuan me babain e autorit të dyshuar, Daniel Pepaj, për të zbuluar ngjarjen. Ai ka pranuar për t’i treguar vendin ku ndodhen parcelat dhe kufomat. Pas kërkimeve, policia gjeti 2 parcelat me kanabis, dhe pak metra më larg edhe dy trupat e viktimave, të qëlluar me armë zjarri. Për transportimin e tyre drejt rrugës së makinës ku ndodheshin edhe forcat e tjera të policisë dhe ambulanca ndihmuan policia dhe vetë banorët.

Pas zbulimit të parcelave dhe trupave policia ka shoqëruar në komisariat Rrok Pepajn. Ai ka patur dijeni për vendndodhjen e parcelave të kanabisit, prandaj mund të akuzohet për veprën penale të mos kallëzimit të krimit. Ndërkohë policia po vijon kërkimet për autorin e dyshuar Daniel Pepaj.

Top Channel