Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali iu është rikthyer akuzave kundër presidentit Ilir Meta duke e cilësuar së fundmi si ‘Gjeneral i ushtrisë së vdekur’.

Sipas Spiropalit, kush kujton se Ilir Meta i nderon dëshmorët me teneqet që i shpërndan si verdhushkat e qypit të marrëzisë nga foltorja e Presidentit, gabon rëndë.

Postimi i plotë i Spiropalit:

Kush kujton se Ilir Meta i nderon dëshmorët me teneqet që i shpërndan si verdhushkat e qypit të marrëzisë nga foltorja e Presidentit, gabon rëndë!

Nuk kanë nevojë heronjtë e popullit për verdhushkat e Baba Xhikes dhe Baba Xhikja është i vetmi president në botë që dekoron njerëz të rënë në luftëra që kanë ndodhur kur ai vetë nuk kishte lindur akoma!

Kjo është një farse e turpshme, e neveritshme, qesharake, e cila u bë krejt kuptimplotë kur dekorata për Vojo Kushin nuk iu dha as familjes së heroit po një të panjohuri që kishte ardhur në ceremoni nga kafeneja e LSI-së afër Presidencës!

Nëse ka një parti sot që i turpëron heronjtë e luftës është LSI e qypave dhe filxhanëve dhe nëse ka një individ që e turpëron shtetin shqiptar në marrëdhënie me kujtimin e tyre, ky është Baba Xhikja i Presidencës me dekoratat e tij si vula e Xhike Qamilit!

Mua nuk më komplekson asnjë qyp e asnjë filxhan i LSI sepse unë dhe Partia Socialiste luftërat çlirimtare dhe heronjtë e tyre, i kemi në ballë, i nderojmë duke luftuar për Reformën në Drejtësi, për Taksimin e Ndershëm, për Librat Shkollore Falas, për Rimbursimin e Ilaçeve për më shumë se gjysëm milionë qytetarë të pasiguruar, për Rilindjen Urbane, për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, për Shqipërinë Evropiane…

Po po, Ilir Meta është gjeneral i një ushtrie të vdekur verdhushkash që s’ka asnjë lidhje me heroizmat e me heronjtë e luftërave shqiptare për liri!

Kur ai flet per Avni Rustemin, mua më kujtohet blloku i tij i zi. Kur ai flet per Margarita Tutulanin, mua me kujtohen vilat e tualeti për macet e Monës. Kur ai flet per Vojo Kushin, mua me kujtohet Peçua i tij farmaceutik dhe me vjen për të vjellë nga nëpërkëmbja brutale e yjeve të luftës nën shollën e ushtrisë së gjeneral Xhikes! Kështu që le të lehin sa të duan, po të vërtetën time nuk e negocioj me askënd!

Top Channel