Në SHBA, autoritetet ngritën akuza ndaj gjashtë personave se kishin komplotuar për të rrëmbyer guvernatoren demokrate të Miçiganit Gretchen Whitmer në shtëpinë e saj të pushimit si reagim ndaj asaj që ata e quajnë “pushtet i pakontrolluar i saj”, në bazë një padie penale që u bë e ditur të enjten në një gjykatë federale.
Personat kishin muaj që komplotonin, duke u këshilluar dhe trajnuar me anëtarë të milicisë dhe duke provuar skenarin në muajt gusht dhe shtator, sipas padisë. Katër nga gjashtë personat planifikuan të takoheshin të mërkurën “rreth një pagese për eksplozivët dhe për të shkëmbyer mjete taktike”, tha FBI-ja në padinë e dorëzuar në gjykatë.
FBI-ja citonte njërin nga të akuzuarit të thoshte se Whitmer “nuk ka fare kontrolle dhe balanca. Ajo ka tani pushtet të pakontrolluar. Çdo (privilegj) merr fund një ditë”.
Qeveria përdori informatorë dhe agjentë të fshehtë për të parandaluar komplotin e pretenduar. Të gjashtë personat u arrestuan të mërkurën në mbrëmje dhe secili përballet me burgim të përjetshëm. Avokati Andrew Birge i quajti ata “ekstremistë të dhunshëm”.
Në padinë penale thuhej se plani përfshinte zonjën Whitmer dhe shtëpinë e saj të pushimit në veri të Miçiganit.
Whitmer është vlerësuar por edhe kritikuar mjaft lidhur me përgjigjen e shtetit të saj ndaj koronavirusit. Ajo vuri kufizime të mëdha për lëvizjet personale në të gjithë shtetin dhe në ekonomi, megjithëse shumë prej këtyre kufizimeve janë hequr. Në padi penale nuk përmenden urdhrat e saj për këtë çështje.
Përmes komunikimeve elektronike, dy nga komplotistët e pretenduar “ranë dakord të përfshijnë edhe njerëz të tjerët rreth kauzës së tyre dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme kundër shumë qeverive të tjera të shteteve amerikane që ata besojnë se po shkelin Kushtetutën”, tha FBI-ja.
Personat janë identifikuar me emrat:Adam Fox, Ty Garbin, Kaleb Franks, Daniel Harris, Brandon Caserta nga Miçigani dhe Barry Croft nga Delauer.
Adam Fox tha se atij i duheshin 200 persona për të sulmuar ndërtesën e Kapitolit në Lansing të Miçiganit dhe për të marrë pengje, përfshirë guvernatoren, sipas FBI-së./VOA/
Top Channel