OKB: Shëndeti mbi të gjitha – Sigurim shëndetësor për të gjithë

08/10/2020 09:24

Kohërat me pandemi tregojnë sa i rëndësishëm është shëndeti. Për ta ruajtur atë duhet sigurimi shëndetësor. Këtë e di edhe OKB-ja, prandaj kërkon prej kohësh sigurim shëndetësor për të gjithë, Universal Health Coverage.

Me një rezolutë të nxjerrë më 2012-n, vendet kanë rëndë dakord që një sigurim shëndetësor për të gjithë të arrihet në vitin 2030. Por Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, thotë se “koha nuk pret”. Duke folur të mërkurën (7.10) për politikat në fushën e shëndetit, ai tha se “pandemia ka nxjerrë në pah sistemet e papërshtatshme të mbrojtjes së shëndetit, boshllëqet e mëdha të mbrojtjes sociale dhe pabarazitë strukturore brenda vendeve dhe midis tyre”.

Gjysma e popullsisë së botës nuk ka sigurim të plotë për të mbuluar shërbimet për shëndetin. 100 milionë vetë janë varfëruar deri në ekstrem, dhe jetojnë me 1,90 dollarë në ditë, sepse janë të detyruar të paguajnë kosto të larta për shëndetin. 12 përqind e popullsisë së botës harxhon 10 përqind të të ardhurave për të paguar për kujdesin shëndetësor. “Ne na duhet tani sigurim shëndetësor për të gjithë duke përfshirë edhe sigurimin për shëndetin mental, në mënyrë që të rrisim forcat në luftën kundër pandemisë dhe të përgatitemi për krizat e ardhshme,” tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres.

Kërkohen investime të mëdha

Ndër rekomandimet e OKB-së është vendosja e kontrollit mbi përhapjen e COVID 19, mbrojtja e shërbimeve të tjera në fushën e shëndetit, sigurimi i vaksinës, analizave dhe trajtimit për të gjithë si edhe përmirësimi i sistemeve paralajmëruese.Përgatitja për pandemitë dhe luftimi i tyre janë çështje të shëndetit publik global që kërkojnë investime të mëdha. Guterres “i kërkon të gjithëve të fillojnë menjëherë të investojnë për sigurimin shëndetësor universal dhe forcimin e sistemit të shëndetësisë”.

Nëse nuk investohet në sistemin e shëndetësisë, kostot dalin më të larta. Pandemia është duke i marrë ekonomisë botërore 374 bilionë dollarë në muaj, ndërkohë që 500 milionë vetë kanë humbur vendin e punës. Shëndeti është një çështje e rëndësishme e axhendës ndërkombëtare dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Sigurimi universal i shëndetit do të thotë që çdo individ dhe komunitet të marrë shërbimin shëndetësor të nevojshëm, pa vuajtur financiarisht. Sigurimi duhet të përfshijë të gjithë spektrin e shërbimit bazë të shëndetit kualitativ, duke filluar me parandalimin, trajtimin, rehabilitimin dhe kujdesin paliativ. Organizata Botërore e Shëndetësisë po ndihmon vendet që të ngrenë sistemet e sigurimit të shëndetit për të gjithë, dhe po monitoron progresin.

Top Channel