“Armenia ka marrë kurajë nga heshtja e ndërkombëtarëve”/ Erdogan: Është pengesa më e madhe e paqes në rajon

08/10/2020 11:28
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se përpjekja e Armenisë, pas shpartallimit të rëndë që pësoi, për të treguar Turqinë brenda përleshjeve, është provë e dëshpërimit dhe mbetjes me shpatulla pas muri të këtij vendi.

Në një prononcim të bërë për gazetën “The Peninsula” që publikohet në anglisht në Katar, Erdogan iu përgjigj pyetjeve në lidhje me luftën e Azerbajxhanit për të çliruar territoret e pushtuara nga Armenia.

Ai tha se pushtimi i një pjese të territoreve të Azerbajxhanit, ku Armenia ka bërë masakra me në krye Karabakun, vazhdon prej afërsisht 30 vjet.

“Armenia, që ka marrë kurajë nga heshtja e komunitetit ndërkombëtar ndaj këtyre masakrave dhe pushtimeve për vite me radhë, me hapat e saj agresive vazhdoi me sulme të reja ndaj civilëve. Atëherë Azerbajxhani u vu në veprim për të shpëtuar territoret e tij të pushtuara dhe tani po merr përsëri një nga një rajonet që Armenia mban në duar si hajdut”, tha kreu i qeverisë turke.

Presidenti Erdogan tha se Turqia ashtu si deri më sot do të jetë pranë në kauzën e drejtë të Azerbajxhanit me parimin “një komb dy shtete” dhe nënvizoi se për të arritur një zgjidhje të përhershme të Karabakut duhet të zbatohen rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe të përmbushen ato që parashikon drejtësia ndërkombëtare.

Armenia në çdo rast shfaq një qëndrim agresiv dhe armiqësor kundër kombit turk dhe është pengesa më e madhe e paqes, stabilitetit dhe qetësisë në rajon, u shpreh Erdogan dhe shtoi: “Pas humbjeve të rënda që pësoi, Armenia me lloj lloj gënjeshtrash përpiqet të tregojë sikur Turqia është përfshirë në përleshje dhe kjo është prova e bllokimit dhe dëshpërimit në të cilin ka mbetur ky vend”./TRT shqip/

Top Channel