Tabaku në “Top Talk”: S’kemi ende një shifër për programin ekonomik që do implementojmë, akuzon qeverinë për premtime populiste

07/10/2020 17:53

Partia Demokratike ka dalë me dy projekt-propozime që i dedikohen, njëri masave antiCovid-19 për të gjallëruar ekonominë edhe tjetri si një plan kombëtar disapikësh për ekonominë në tërësi kur opozita të vijë në pushtet.

Për të folur rreth këtyre propozimeve në “Top Talk”, ishte e ftuar ish-deputetja Jorida Tabaku. Ajo gjatë fjalës së saj i cilësoi premtimet e Partisë Socialiste si populiste dhe elektorale, ndërsa shtoi se Partia Demokratike ka bërë një bilanc të saktë të problematikave ekonomike që ka vendi.

Denis Dyrnjaja: A janë populiste premtimet tuaja kur unë përmenda pak më parë edhe 1 mijë euro për bizneset e vogla të dhëna si çek.

Jorida Tabaku: Në mënyrë absolute jo. Përse e them këtë? Ju referove paketës së bizneseve të vogla për 1 mijë euro çek. Kush është qëllimi kryesor i paketës? I gjithë paketa në total ka një shumë dhe mbështetje buxhetore prej 312 milionë eurosh, 52 milionë euro në muaj një komponent kryesor ka mbështetjen për biznesin e vogël. Sot ekonomia shqiptare dhe në mënyrë të veçantë biznesi shqiptar, është duke vuajtur mungesën e konsumit dhe mungesa e konsumit realizohet duke i dhënë mundësi bizneseve dhe qytetarëve që të kenë likuiditete për të shpenzuar. Kjo është një metodë që është përdorur që nga vendet e rajonit, Maqedonia dhe Kosova dhe deri te vendet më kapitaliste si Gjermania dhe Amerika, nga njëra anë. Por nga ana tjetër për ta vazhduar biznesin dhe të mos ulë qepenat në momentin e parë që ka pak vështirësi, të vijojë të paguajë taksat, për të vazhduar të paguajë qiranë, punonjësit të mos i pushojë nga puna, pra për të mbyllur shumë shpenzime që lidhen drejtpërdrejt me krizën e konsumit e të likuiditetit.

Denis Dyrnjaja: Të njëjtat gjëra po thotë edhe qeveria që i ka ndërmarrë si masa sporti ndaj biznesit dhe sipërmarrjes, me një paketë 750 milionë.

Jorida Tabaku: Paketë 750 milionë unë nuk kam dëgjuar, është hera e parë që unë e dëgjoj. Qeveria ka angazhuar dhe paguar rreth 100 milionë euro për të gjithë grupet e interesit, grupet sociale, për bizneset e vogla, për punësimin. Kështu që shifra 750 milionë është totalisht e pavërtetë dhe e pasaktë.

Denis Dyrnjaja: Kryeministrin kemi dëgjuar të thotë se po t’i mbledhësh të gjitha kapin vlerën e 750 milionëve.

Jorida Tabaku: Nuk është burim i saktë informacioni. Të shohësh FMN-në përshembull që është më i saktë se informacioni se i kryeministrit.

Denis Dyrnjaja: Ne qeverinë e marrim për referencë, për aq kohë sa e kemi qeveri zyrtare, natyrisht do t’i referohemi shifrave që ata thonë.

Jorida Tabaku: Ke të drejtë. E kemi këtë fatkeqësi për momentin por do të ndryshojë pas 25 prillit. Ndërkohë për 100 mijë biznese të vogla, propozohet kjo shumë prej 1 mijë eurosh, pra një fond prej 100 milionë eurosh vetëm për bizneset e vogla. Një paketë për nxitjen e punësimit që ka për bazë dhënien e një page minimale, për të gjithë ato që kanë dalë nga tregu i punës, qeveria ka llogaritur që janë 50 mijë, janë 100 mijë sipas shifrave tona, duke pasur parasysh edhe sektorin informal. Gjithashtu një paketë shtresat sociale, pensionistët, grupet që kanë vështirësi për shpenzime ekstra dhe shtesë gjatë kohës së pandemisë. Gjatë bisedave që ne kemi pasur me mjekë, farmacistë, kemi marrë informacionin që kushtojnë mbi 500-600 euro një pajisje për oksigjenin. Janë shpenzime ekstra për qytetarët.

Denis Dyrnjaja: Rama dje deklaroi se do t’i rrisë pagat e mjekëve me 45% dhe të mësuesve me 15%. Po ju çfarë do të bëni për këtë kategori?

Jorida Tabaku: Ky është një premtim populist dhe ky mund të quhet me plot gojën premtim elektoral.

Denis Dyrnjaja: Po pse ky është populist dhe i juaji jo?

Jorida Tabaku: Ta them unë pse. Rama nuk vjen sot në qeverisje, Rama ka 8 vite që qeveris. Në 8 vite Rama i ka rritur vetëm një herë pagat e mjekëve, në vitin 2017 para zgjedhjeve. Asnjë vit tjetër nuk është indeksuar as me normën e inflacionit dhe rritja ka qenë 7% e cila është më ulët se norma e inflacionit e mbledhur në këto tetë vite. Asnjë vit tjetër nuk ka pasur rritje pagash, as për mësuesit as për mjekët. Dhe të bësh një premtim të tillë gjashtë muaj para zgjedhjeve, kur historia tregon që në shtatë vite t’i nuk e ke bërë është një premtim populist.

Denis Dyrnjaja: Nëse bëhet në janar nuk është më populist.

Jorida Tabaku: Është populist, sepse unë të siguroj nëse do të kishte mundësinë nuk do t’i kishte rritur. E kupton që është në pozitën e tij më të vështirë, ekonomia është sfida e tij më e madhe sepse ka qenë premtimi i tij më i madh. Po përpiqet të rregullojë me impakt afatshkurtër, ato vendime që kanë dëmtuar jetën e shqiptarëbe dhe kanë rritur taksat. Për t’iu rikthyer se përse premtimi jonë nuk është populist. Ndërkohë që shëndetësia fokusin e saj në këto vite ka pasur koncesionet, janë shpenzuar 100 milionë euro, janë angazhime që janë marrë, kanë një strategji dhe vizion dhe nuk e ndryshojnë dot këtë strategji për dy muaj. Kështu dinë të bëjnë, kështu e kanë konceptuar shëndetësinë dhe kanë tetë vite duke e mbrojtur këtë. Nga ana tjetër Partia Demokratike, ka në plan rritje pagash, të mësuesve, mjekëve, infermierëve dhe llogaritë që ne kemi bërë për sistemin shëndetësorë ka mundësi dhe hapësirë për të rritur pagat për këtë sektor.

Denis Dyrnjaja: Sa është paketa financiare që mendoni juve që do të gjenerojë rritjen e pagave për këtë kategori.

Jorida Tabaku: Nuk mund të jap në këtë moment detaje që nuk i kemi bërë ende publike për njerëzit. Kjo është plani elektoral i Partisë Demokratike që do të shpaloset në vijim, por di të them që do të ketë një shifër të saktë, se sa do të shkojë për pagat. Ka një mënyrë të saktë se si do të menaxhohet fondi për shëndetësinë, se si do të vendoset pacienti në qendër dhe si do të ristrukturohet i gjithë sektori, duke pasur parasysh jo koncesionin, por pacientin.

Top Channel