Ashtu siç ishte paralajmëruar, ministria e jashtme e Shqipërisë ia ka përcjellë Beogradit notën verbale, pasojë e ofendimeve të ministrit të mbrojtjes Aleksandër Vulin të cilat Tirana zyrtare nuk ka ndërmend t`i tolerojë më.

Në dokument shprehet indinjata e thellë ndaj gjuhës fyese dhe atyre që përshkruhen si akuzave të pabaza drejtuar Republikës së Shqipërisë nga ana e Vulin, ndërsa kërkohet një reagim I autoriteteve shtetërore të Serbisë.

“Gjuha ofenduese dhe komunikimi i të pavërtetave në adresë të Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, nuk është mënyra e duhur për zgjidhur mospajtimet politike. Për më shumë, publikimi i deklaratave të kësaj natyre në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë i jep një karakter institucional qëndrimeve të Ministrit. Me anë të kësaj Note Verbale, dënojmë gjuhën e përdorur dhe kërkojmë distancim të qartë dhe të hapur të autoriteteve shtetërore të Serbisë nga gjuha e Ministrit të Mbrojtjes, AleksandarVulin.”

Pas komenteve të para polemizuese mbi pohimet e Ramës se Porti i Durrësit do të jetë “de facto” port i Kosovës, kur tha se Rama po punon për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, Vulin ironizoi duke thënë se kryeministri shqiptar do të mbahet mend më shumë për çorapet sesa për idetë e tij, deklarata këto që duket se I vunë kapakun durimit të Tiranës zyrtare.

Top Channel