Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Europian, Olivér Várhelyi e ka falenderuar këtë të fundit duke thënë se ka dhënë një mbështetje shumë të madhe për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Sipas Ramës, Varhelyi ka qenë një nga personat e parë që e ka telefonuar në momentet e para të pandemisë. Më tej Rama ka shtuar se plani ekonomik i BE për vendet e Ballkanit Perëndimor është një mundësi e madhe zhvillimi për Shqipërinë.

“Jemi në një moment ku marrëdhëniet janë konkrete. Rruga jonë nuk është thjeshtë rrugë hapash por edhe e ndërtimit e një ekonomie të re për rajonin. Për të gjithë rrjetin lidhës me rruga, hekurudha e me mjete të tjera” ka thënë Rama.

Pjesë nga deklarata e Ramës:

“Është angazhuar për një plan masiv ekonomik për të gjithë rajonin. Dua ta falenderoj publikisht për mbështetjen e tij dhe për mënyrën për çasjen efikase ndaj çështjeve dhe patjetër për ndershmërinë  tij në thënien e gjërave ashtu siç janë. Jemi mirënjohës dhe do të jemi. Bashkëpunimi ka dhënë fryte të veçanta, patjetër që në këto aspekte që lidhen me objektivat e përcaktuar për integrimin, ne kemi vazhduar të shkojmë përpara me bindje të plotë. Reformën në drejtësi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, jo se pse na i kërkojnë por sepse është obligim ynë ndaj fëmijëve tanë që përkon me objektivat e anëtarësimit. Plani i ri ekonomik është një mundësi e jashtëzakonshme e re që krijohet nga ky komision i ri. Ka një çasje të re dhe implementon një politikë të re me Rajonin dhe me Shqipërinë. Ky plan është një provë konkrete e prekshme e shumë arsyeve të mira dhe një bindje të madhe që qëndron në vizionin e Shengenit rajonal. Vizioni i një rajoni ku zhvillimi nëpërmjet bashkëpunimit është e vetmja rrugë për të dalë në një hapësirë dhe për tu lënë brezave të tjerë një rajon shumë më të mirë. Në plan ka shumë aspekte por aspekti kryesor i përgjithshëm është që do na ndihmojë të integrohemi si rajon me tregun Evropian dhe paralelisht me shtetin e të drejtës funksionimin e institucioneve që shkon në procesin e monitorimit të BE. Komisioneri  nuk ka qenë këtu thjeshtë për të na ngushëlluar apo solidarizuar në momentin e tragjedisë , apo në konferencën e paharrueshme të solidaritetit. Nuk kanë qenë këtu as thjeshtë dhe vetëm për komisionin për rindërtimin e shkollave dhe monumenteve. Dhe pse kovidi i goditi të gjithë dhe vuri në vështirësi BE, komisioneri ka qenë telefonata e parë nga jashtë për të më garantuar që BE dhe komisioni do të jetë pranë Shqipërisë dhe pranë rajonit edhe në këtë fazë. Kështu ka ndodhur. Jemi në një moment ku marrëdhëniet janë konkrete. Rruga jonë nuk është thjeshtë rrugë hapash por edhe e ndërtimit e një ekonomie të re për rajonin. Për të gjithë rrjetin lidhës me rruga, hekurudha e me mjete të tjera.” tha Rama.

Top Channel