Basha te greva e naftëtarëve: Zgjidhja do të vijë pas 25 prillit, do ta marrë përsipër shteti

07/10/2020 00:35

Në ditën e nëntë të grevës së urisë naftëtarët janë vizituar nga kreu Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kryedemokrati para naftëtarëve u paraqit me një zgjidhje, por që do të konkretizohet pas 25 prillit.

” Po ju them që për mua zgjidhja do të jetë vetëm një. Ajo shumë parash që ju detyrohen punëtorët për 16 muajt e vitit 2016 e tutje, ajo para do fillimisht do të paguhen nga shtëti. Theksoj fillimisht, jo përfundimisht”- tha Basha.

Naftëtarët i thanë kreut të PD se kërkesat e tyre deri më tani janë shpërfillur nga shteti, drejtësia dhe sipërmarrësit.

” Punojmë me cilindo sipërmarrës që të vijë. Nuk është kushti jonë kush do të vijë, por mjafton që t’i kërkoj një garanci nga shteti që nesër apo 6 muajsh  të mos gjendemi përsëri në të nëjtën situatë se nuk ka vlerë më të ngrihemi në rrugë dhe në protestë. Ndaj sot ne këmi reaguar dhe kemi bërë dicka shumë të qartë ne kemi kaluar deri në vetëflijim”- thanë naftëtarët.

Lulzim Basha tha se e keqja duhet ndëshkuar me votë, për këtë arsye ai kërkoi mbështetjen e naftëtarëve.

” Bëhuni të fortë. Hajde të bëhemi bashkë ta ndryshojmë sepse ky është një vend i pasur, por i vjedhur. Hajde t’i japim fund kësaj vjedhje dhe të hapim një faqe të re ashtu sic e meritoni për ju për këtë komunitetit për industrinë  e naftës dhe të gjithë shqiptarëve. Kjo është ftesa ime për ju. Unë kaq kam në dorë sot”- shtoi Basha.

Top Channel