Avokati i gjyqtares së akuzuar për korrupsion Mimoza Margjeka: Nuk ka asnjë provë, është çështje politike

07/10/2020 13:23
Genc Gjokutaj, avokati i gjyqtares Mimoza Margjeka

Genc Gjokutaj, avokati i gjyqtares Mimoza Margjeka, e cila dyshohet për 6 mijë euro ryshfet është ftuar ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel për të rrëfyer detaje të reja në lidhje me çështjen.

Ai theksoi se nuk ka asnjë provë që e fajëson Margjekën dhe se vendimi është i padrejtë. Gjokutaj theksoi se kjo është një cështje politike, pasi nuk ka asnjë kartëmonedhë të sekuestruar që Margjeka të implikohet.

“Nuk ka asnjë kartëmonedhë të sekuestruar që Margjeka të implikohet. Nuk ka asnjë provë është vetëm çështje politike. Ajo ka qenë gjyqtarja që ka gjykuar mandatin dhe e ka rrëzuar sepse janë shkelur afatet. Ka një ndërhyrje të dhunshme të politikës, pasi kur flet drejtësia pushon politika. Është arrestuar një familje me reputacion, por brenda emocionit të shprehur nga ajo duhet të kapim pjesën e arsyetuar. Kemi dy pista, elementin politik dhe një gjyqtare pa asnjë provë nga ajo që kërkon ligji. Ajo nuk ka pasur asnjë lloj bisede në lidhje me vendimin. Ata flenë në hotel se nuk kanë asnjë shtëpi në Korçë”, tha Gjokutaj.

Kujtojmë se çështja e gjyqtares është shoqëruar me shumë tension në seancat gjyqësore, deri në degradim të përplasjeve me policinë. Më 1 tetor Apeli i GJKKO  la në fuqi masën e arrestit të shtëpisë për gjyqtaren Mimoza Margjeka.

Top Channel