Një hulumtim ka treguar se cila është arsyeja përse ndiheni të lodhur dhe nervozë në një ditë me shi.
Arsyeja kryesore që zgjimi në mëngjesin me shi është më i vështirë se zakonisht, apo që gjatë ditëve me shi më shumë dremitim është shkaku i ndryshimeve hormonale, theksohet në studimin e Universitetit Shtetëror të Pensilvanisë,
Nëse dita është me shi, ka më pak dritë gjatë ditës, andaj trupi ka më pak serotoninë dhe më shumë melatoninë, hormone të cilat janë përgjegjëse të drejtpërdrejta për gjendjen shpirtërore dhe vigjilencën.
Serotonina është hormon i cili na ofron ndjenjë të përgjithshme të mirëqenies, energjisë dhe humorit të mirë. Kur niveli i saj është i ulët, shanset më të mëdha janë që do të ndihemi më të përgjumur, më të lodhur dhe përgjithësisht jemi melankolikë.
Nga ana tjetër, melatonina është hormon i cili na ofron ndjenjën e përgjumjes.
Kur sytë tanë detektojnë errësirën, ata i dërgojnë sinjal trurit, i cili pastaj liron hormonin e melatoninës i cili i shërben trurit edhe për vendosjen e ciklit të gjumit.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë që në ndryshimet hormonale ka rëndësi edhe tingulli i shiut. Kur tingulli është i qetë apo mesatarisht i fuqishëm dhe i njëtrajtshëm, sikur rënia e shiut, truri ynë e interpreton si sinjal qetësues.
Veç kësaj, kjo zhurmë qetësuese do të “mbulojë” disa tinguj më pak të këndshëm të cilët do të na kishin shqetësuar dhe mërzitur, për shembull zhurma e automobilit apo zërat e njerëzve në rrugë.
Top Channel