Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti sot në takim Kryetarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Sh.T.Z. Šefik Džaferović, të cilit i dhuroi edhe “Çelësin e qytetit”.
Veliaj dhe Džaferović biseduan mbi rritjen e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Sarajevës, e veçanërisht për të pasur më shumë shkëmbime mes të rinjve tanë dhe atyre boshnjakë.
“Jam angazhuar se do të shfrytëzojmë vitin tonë, si Kryeqyteti Evropian i Rinisë, si mundësi fantastike për të pasur më shumë shkëmbime mes të rinjve tanë dhe të rinjve boshnjakë. Tirana dhe Sarajeva e kanë nisur një partneritet – ndoshta Covid19 na e ndërpreu për pak kohë, si një “lemzë” – por, do të rifillojmë me shumë energji bashkëpunimin mes Tiranës dhe Sarajevës, si dy qytetet që kanë e nisur këtë energji bashkëpunimi në rajon”, tha Veliaj.
Kryetari i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës Šefik Džaferović u shpreh se ky është momenti i duhur për të hapur një faqe të re për të ecur përpara, veçanërisht në fushën ekonomike, politike dhe atë kulturore.
“Qëllimi i kësaj vizite është forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Kemi të gjitha mundësitë për të pasur një bashkëpunim më të mirë mes dy vendeve. Është koha që të hapim një faqe të re dhe të ecim përpara, ekonomikisht, politikisht, kulturalisht. Pas gjithë këtyre takimeve që kemi pasur në Shqipëri, besoj se do të kemi një bashkëpunim më të mirë në të ardhmen”, tha Džaferović.
Në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi, presidenti i dorëzoi kryebashkiakut Veliaj edhe simbolin e Bosnje-Hercegovinës.
Top Channel