Thirrje për të aplikuar në kushtetuese/ KLP fton prokurorët me eksperiencë që të konkurrojnë

06/10/2020 20:05

Në datën 14 tetor mbyllet afati për të shfaqur interes për në Gjykatën Kushtetuese.

Gjatë ditës Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ftoi dhe inkurajoi çdo prokuror që përfaqëson akuzën në emër të shtetit, që ka kaluar me sukses procesin e vetting-ut dhe që plotëson kriteret për në Gjykatën Kushtetuese. Bëhet fjalë për dy vendet e shpallura vakante nga presidenti dhe kuvendi, pas largimit të gjyqtarëve Fatos Lulo dhe Besnik Imeraj.

Prokurori i interesuar duhet të ketë jo më pak se 15 vite në këtë detyrë, e do të ketë mandatin e gjyqtarit kushtetues deri në vitin 2020, aq sa mandate i mbeti pa u mbyllur Lulos dhe Imerajt. Kërkesa depozitohet pranë organeve të emërtesës dhe sipas urdhëresave ligjore të Reformës në Drejtësi, menjëherë pas përfundimit të mandatit, ish-gjyqtari kushtetues, caktohet në një detyrë të përafërt; duke u riemëruar në pozicion karriere. Në njoftimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sqarohet gjithashtu edhe paketa ligjore që i referohet kjo garanci.

Aktualisht KED ka në proces verifikimi kandidatin e pestë në Gjykatën Kushtetuese, që është me mandate të plotë nëntë vjeçar. Kurse tre të tjerët, mes të cilëve njëri do të zëvendësojë gjyqtaren Vitore Tusha, do të zgjidhen pasi të plotësohet Gjykata e Lartë, me së paku 15 anëtar. Ndërkohë në “Twitter”, Ambasadorja Amerikane Yori Kim, ritheksoi ftesën për garën drejtuar prokurorëve duke bashkëngjitur flamurin shqiptar dhe apelin Shqipëria ka nevojë për ju.

Ambasadorja përshëndeti thirrjen për garë, duke shtuar se KLP dha një përgjigje të mençur dhe të drejtë, ndaj shqetësimeve legjitime për garancinë e karrierës së prokurorëve, duke marrë parasysh dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Shpresojmë thuhet më tej se kjo përgjigje do të inkurajojë prokurorët e vetuar për t’iu përgjigjur thirrjes për detyrën.

Top Channel