Shtohen përpjekjet diplomatike për të ndalur luftimet në rajonin e Nagorni Karabakut

06/10/2020 15:32

Përpjekjet diplomatike për të ndalur luftimet për rajonin e Nagorni Karabakut, morën vrull më 6 tetor, pas më shumë se një jave betejash të fuqishme midis forcave armene dhe azerbajxhanase.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, u takua me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në Baku, ndërsa kryeministri i Armenisë, Nikoll Pashinian, diskutoi për situatën në një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.

Luftimet që shpërthyen më 27 shtator midis forcave armene dhe azerbajxhanase kanë rritur shqetësimin se mund të rezultojë një konflikt më i gjerë.

Turqia, është aleati më i afërt i Azerbajxhanit, ndërsa Rusia, ka një pakt mbrojtjeje me Armeninë.

Luftimet e fundit kanë ngritur shqetësime ndërkombëtare pjesërisht edhe për shkak të afërsisë së rajonit me tubacionet që transportojnë gaz dhe naftë të Azerbajxhanit në Evropë.

“Jemi në Baku për t’u treguar vëllezërve tanë në Azerbajxhan mbështetjen dhe solidaritetin e shtetit tonë dhe të kombit tonë”, shkroi avusoglu më 6 tetor.

Azerbajxhani dhe Armenia kanë bërë akuza të ndërsjella për fillimin e luftimeve në të cilat janë raportuar të vrarë më shumë se 250 njerëz.

Armenia tha më 6 tetor se nata e kaluar kaloi relativisht e qetë në zonën e konfliktit në Nagorni Karabak.

“Pas disa thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar menjëherë luftimet në zonën e konfliktit të Nagorni Karabakut, nata kaloi relativisht e qetë”, shkroi në rrjetin social Facebook, Shushan Stepanian, një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes së Armenisë.

Azerbajxhani dhe Armenia janë përfshirë në një konflikt mbi rajonin malor që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Ato zhvilluan një luftë që përfundoi më 1994 në të cilën rreth 30,000 persona u vranë dhe qindra mijëra të tjerë u zhvendosen.

Top Channel