Ndodh që familja që ka humbur fëmijën të ketë dyshime por trembet për ti treguar. Kjo nuk e ndihmon situatën për të gjetur fëmijën, ku me kalimin e kohës shanset zbehen ndjeshëm.
“Familja që ka humbur fëmijën ka dyshime por që trembet për të treguar për dyshimin e saj. Mund të ketë disa pista të vetat, është mirë që të jetë bashkëpunuese me organet kompetente ligjzbatuese për të dhënë çdo informacion dhe çdo dyshim”, shprehet Mirgit Vataj. Fakt mbetet që rrëmbimi i fëmijës është akti final i një grupi që e vëzhgon atë prej disa kohësh. Zakonisht përzgjidhen fëmijë që nuk janë shumë nën vëzhgimin e prindërve për të lehtësuar punën për rrëmbyesit.
“Nëse i referohemi grupeve kriminale që kanë si qëllim ti rrëmbejnë fëmijët dhe ti përdorin për adoptimin e jashtëligjshëm, ndodh shpesh që këta i vëzhgojnë fëmijët për një kohë të gjatë. Vëzhgojnë familjen e fëmijëve, vëzhgojnë të afërmit. Sa i neglizhuar është një fëmijë, sa është vëmendja e familjarëve kundrejt këtij fëmije. Në mënyrë që procesi i rrëmbimit të jetë sa më i kollajtë për grupin por edhe sa më i vështirë për familjen. Pasi bëhet fjalë për familje ku prindrit neglizhojnë fëmijët e tyre në kujdes dhe në vëmendje”, thotë Mirgit Vataj.
Rrëmbimet e fëmijëve bëhen me disa qëllime. Ata mund të shfrytëzohen për prostitucion ose për lypje, mund të shiten për birësime të jashtëligjshme apo të trafikohen për marrjen e organeve. “Në historikun e shoqërisë shqiptare sa i përket rrëmbimit të fëmijëve, ndodh që ata janë rrëmbyer dhe janë përdorur si një mjet për birësimet e jashtëligjshme për tu trafikuar dhe për tu shfrytëzuar në vendet e Bashkimit Europian. Por në eksperiencën europiane dhe në botë shpesh herë fëmijët janë rrëmbyer edhe sa i përket marrjes së organeve të tyre. Por në Shqipëri të paktën nuk kemi një eksperiencë të tillë, të ditur”, thotë Mirgit Vataj.
“Një pjesë e këtyre fëmijëve sot të rritur tregojnë trauma përsa i përket shfrytëzimit seksual dhe dhunës qoftë në Shqipëri apo edhe në vendet jashtë ku janë shfrytëzuar. Nuk bëhet fjalë thjeshtë për atë historinë që një fëmijë humb, por bëhet fjalë për rastet e fëmijëve të rrëmbyer që kanë qenë pjesë e rrjeteve të shfrytëzimit të fëmijëve për përfitim dhe pa dyshim edhe për shfrytëzime seksuale. Shpesh ka një pikëpyetje, a është e mundur që një pjesë e këtyre fëmijëve të kenë qenë pjesë e trafikut për shfrytëzimin e organeve dhe ne këtë nuk e dimë”, shprehet Altin Hazizaj.
Top Channel