Punimet në rrugët e Tiranës dhe trafiku/ Veliaj: Ja kur i rikthehemi normalitetit

06/10/2020 22:24

Trafiku në Tiranë është një problematikë që qytetarët në kryeqytet po e jetojnë çdo ditë.

Radhë të gjata makinash krijohen në akse kryesore të qytetit. Rreth kësaj problematike foli dhe kryebashkiaku Erion Veliaj në “Open”. Ai tha se është në dijeni, por bashkia po punon për normalizimin e situatës. Veliaj e lidhi trafikun në Tiranë me dy problematika.

E para sipas tij ka të bëjë me bllokimin prej tre vitesh që iu bë Astirit, nga protestat atje. Ndërkohë ai tha se në krijimin e trafikut ka ndikuar situata e krijuar nga COVID-19. Shkollat këtë kohë po punojnë me turne dhe sipas Veliajt, kur më parë kishim vetëm dy pike, në mëngjes e drekë, tani kjo fashë orare është shtyrë.

Gjithashtu ndikues në normalizimin e trafikut sipas Veliajt do të jenë rregullimet që po bëhen në rrugën e Durrësit dhe “Zogun e Parë”.

“Unë jetoj në Tiranë. Për distancat e largëta unë vij me makinë. Ajo që duhet kuptuar është fakti që u vonuam te Astiri kapi kalendarin e të tjerëve që nuk shtyhen dot. Kemi punuar te rruga e Durrësit, ajo do të ketë vetëm një krosi biçikletash, sepse po vendosim pllakat tek ana tjetër. Qytetarët kanë të drejtë që ankohen do të dëshiroja ta mbaronim Astirin por nuk mund të shtynim rrugën e Durrësit, që ka një tub me diametër sa unë në këmbë. Së pari ka disa afate. Një afat është në nëntor që hapet një arterie e rëndësishme që është “Zogu i Parë”. E para varet nga pandemia, nëse më parë kemi dy pike, mëngjesin dhe drekën, tani prej shkollave kemi më shumë. Në momentin që ne rikthehemi në normalitet shkollat kthehen në një turn dhe hapen 5 shkolla. Shumë punë, takime, biseda, dreka darka po kryhen të gjitha tani. Unë do të kërkoj ndjesë që sado të mundohesha Astiri duhej tre vite të zgjidhej, por në këtë fazë jemi afër fundit”, tha Veliaj.

Top Channel